Sulmi me 4 viktima në një shkollë të Xhorxhias në SHBA, i paralajmëruar/Autori 14-vjeç!
Sulm me armë zjarri në një shkollë në Shtetet e Bashkuara, katër viktima. Policia amerikane arrestoi autorin e dyshuar, një nxënës 14-vjeçar. Ngjarja ndodhi në shtetin e Xhorxhias, në qytetin e Winder. Mes të vrarëve janë dy studentë dhe dy mësues të gjimnazit Apalachee. Informacionin e dha Chris Hosey, drejtor i Byrosë së Hetimit të Xhorxhias. Nëntë persona u plagosën dhe u dërguan në spital.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe bashkëshortja Jill thanë se “po mbajnë zi për vdekjen e atyre, jeta e të cilëve u mbyll për shkak të dhunës më të pakuptimtë me armë”. Ai që duhej të ishte sezon i gëzueshëm i kthimit në shkollë në Winder, Xhorxhia, tani është kthyer në një tjetër kujtesë të tmerrshme si dhuna me armë vazhdon të copëtojë komunitetet tona, thanë në një deklaratë.
Dhuna me armë e të shtënat në shkolla janë dukuri e zakonshme në Amerikë ku armët e zjarrit disponohen shumë më lehtësisht se në vende të tjera.
Autori i dyshuar u mor në pyetje një vit më parë nga policia lidhur me disa kërcënime anonime në internet. Në maj 2023, 14-vjeçari Colt Grey, mohoi se qëndronte pas postimeve online që përmbanin imazhe të armëve, çka paralajmëronin për të shtënat në shkollë. Zyrtarët paralajmëruan shkollat lokale për monitorimin e vazhdueshëm të situatës.
Në atë kohë, nuk kishte asnjë arsye të mundshme për një arrestim apo për të ndërmarrë ndonjë veprim shtesë të zbatimit të ligjit në nivel lokal, shtetëror apo federal, tha FBI-ja në një deklaratë.
Por, dje ai veproi në shkollën e mesme Apalachee në qytetin Winder duke vrarë dy mësues dhe dy nxënës. Policia identifikoi viktimat si arsimtarët Christina Irimie e Richard Aspinwall dhe nxënësit 14-vjeçarë Mason Schermerhorn e Christian Angulo.
I mituri u arrestua në kampus, raporton BBC-ja. Dy oficerë të caktuar në mjediset e shkollës “u përballën me urgjencë me autorin e dyshuar”, siç njoftuan autoritetet, duke shtuar se i mituri “u dorëzua menjëherë”.
Ky ishte sulmi i 23-të në një shkollë në SHBA për vitin 2024, sipas një baze të dhënash të mbajtur nga revista “Education Week”, që numëron 11 viktima e 38 të plagosur në sulme, prej janarit.