Këshilli i Legjislacionit: Procedurë parlamentare për 3 vendimet e Kushtetueses!

vovalbania September 06, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Këshilli i Legjislacionit: Procedurë parlamentare për 3 vendimet e Kushtetueses!

Këshilli për Legjislacionin u mblodh sot për të diskutuar mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese për rregulloren e Kuvendit, Tatimin e Profesioneve të Lira, si dhe ligjin për Komisionet Hetimore. Kryetarja Dhurata Çupi u shpreh se “Gjykata Kushtetuese e gjeti parlamentin në shkelje sa i përket Rregullores”.

Gjykata, ka theksuar se ndryshimet në ligj, kanë dëmtuar bashkëjetesën në Kuvend. Ndryshimet e rregullores së Kuvendit duhet të jenë transparente dhe konsensuale. Ndryshimet e njëanshme, për më tepër ashpërsimi i masave, dëmtojnë demokracinë parlamentare.

Lidhur me tatimin e profesioneve të lira, Çupi theksoi se “mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me këstet që profesionet e lira kanë paguar”.

Duhet të ndërmarrim një nismë ligjore për kompensimin dhe rimbursimin e të gjithë atyre profesionistëve të cilët i kanë paguar këstet.

Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka propozoi përcaktimin e relatorëve nga maxhoranca e opozita për hartimin e raporteve përkatëse për secilën çështje.

Të caktojmë dy relatorë që të përgatisin një raport. Eduard Shalsi propozohet të jetë relator për çështjen e ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat. Në lidhje me rregulloren e Kuvendit, ne propozojmë për relator Toni Gogun. Lidhur me vendimin që ka lidhje me ligjin për organizimin e komisioneve hetimore, propozojmë Ermonela Felajn. Kur raportet të bëhen gati do të jenë objekt i diskutimeve në këtë Këshill.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi u shpreh se “maxhoranca po sillet sikur është në situatë normale”.

Në fakt, ky Kuvend nuk është në situatë normale. Në vetëm dy muaj, Gjykata Kushtetuese e ka gjetur 4 herë në shkelje këtë maxhorancë. Përcaktuat rregulla shtypëse për opozitën dhe kërkoni ndjesë për bllokimin e komisioneve hetimore!

Dhe akoma më shumë, kërkoni ndjesë për raprezaljen që bëtë ndaj 30 mijë intelektualëve e profesionistëve të lirë!

Duhet menjëherë të kemi një iniciativë ligjore që secilit prej profesionistëve të lirë t’i kthehen mbrapsht ato para qe janë paguar për shkak të një ligji antikushtetues. Çdo akt zvarritje do të ishte i turpshëm!

Në përfundim të mbledhjes, Çupi theksoi se të tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtohen me procedurë parlamentare e nuk do të dërgohen në qeveri.

Do të ketë propozime dhe nisma nga deputetët, si dhe një raport nga Këshilli i Legjislacionit me një relator nga opozita e një nga maxhoranca. Me urgjencë duhet të trajtojmë vendimin për tatimin e profesioneve të lira!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE