Komisioni Antikorrupsion, ambasada amerikane: Të jetë në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve!

vovalbania September 06, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Komisioni Antikorrupsion, ambasada amerikane: Të jetë në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Në një reagim të selisë diplomatike të Uashingtonit thuhet se “presin që puna e komisionit të jetë përfshirëse e transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”.

Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.

Me 74 vota pro dhe 6 kundër, më 30 maj, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.

Ky komision synon thellimin e luftës kundër korrupsionit, si dhe forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Europian e të raportit Screening të Komisionit Europian në lidhje me grupkapitullin e parë. Po ashtu, edhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë e të qëndrueshme. Kjo për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore e institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE