Zelensky në Gjermani për takime me aleatët e Ukrainës!
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot viziton Gjermaninë, vendin ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurës që kanë ndodhur gjatë luftës ndërsa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.
Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt sipas informacionit të dhënë nga zëdhënësi i qeverisë në Berlin. Por, ai nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë kreu i shtetit ukrainas në Gjermani.
Por, media gjermane Der Spiegel, raportoi se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara. Bisedimet do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein.
Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.
Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të drejtohet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Ky do të jetë takimi i 24-rt i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën.
Zelensky tha se qëllimi i inkursionit të befasishëm në rajonin jugor rus, Kursk, i nisur muajin e kaluar është kapja e tokave dhe trupave ushtarake për qëllime shkëmbimi dhe vuri në dukje se Kievi nuk ka nevojë për tokën e Rusisë.
Nuk na duhet territor rus. Operacioni ynë ka për qëllim rikthimin e integritetit territorial. Ne kapim trupa ushtarake ruse për t’i këmbyer me trupat ukrainase. Ne u themi atyre, shikoni, neve na duhen ushtarët tanë në këmbim me rusët. E njëjta logjikë është edhe për territoret. Nuk na duhet toka e tyre.
Prej nisjes së inkursionit në rajonin Kursk, në fillim të gushtit, Kievi pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 1.200 kilometrave të territorit rus. Në raportimet paraprake janë dhënë sinjale që Kievi synon që përmes këtij operacioni të pozicionojë veten më mirë, në rast të nisjes së bisedimeve për paqe.
Ukrainasit dhe analistët kanë sugjeruar se përmes operacionit ushtarak është synuar t’iu tregohet edhe rusëve për situatën e luftës së nisur prej Moskës. Inkursioni në Kursk përbën pushtimin e parë të huaj të territorit rus prej Luftës së Dytë Botërore.
Kievi e disa aleatët të tij kanë argumentuar së fundmi se mbështetësit perëndimorë të ndihmës ushtarake, artilerisë dhe armëve të tjera duhet të heqin kufizimet, që të mundësojnë shfrytëzimin e tyre për sulme më thellë territorit rus.