Bllokada serbe e kufirit Kosovë-Serbi, zhbllokohet Jarinja/Merdara e Bërnjaku, të mbyllura!
Sot nuk ka probleme në qarkullimin e automjeteve nga të dyja anët e kufirit në pikëkalimin e Jarinjës mes Kosovës e Serbisë. Lëvizja vijon normalisht ndërsa dy pikëkalime të tjera mbeten të mbyllura referuar informacioneve më të fundit të Policisë së Kosovës.
Një ditë më parë, përfaqësues nga disa shoqata serbe, bllokuan rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë, përkatësisht Jarinjë, Bërnjak e Merdarë duke mos i lejuar të kalonin udhëtarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Por, sot në mëngjes, zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani konfirmoi se në Jarinjë nuk ka bllokim të kufirit.
Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës.
Por, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Kosovës thuhet se qarkullimi në Jarinjë “është i bllokuar për autoveturat dhe kamionët me dokumente kosovare”. Një natë më parë, autoritetet kosovare mbyllën për qarkullim Bërnjakun e Merdarën.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dje tha se këto dy pikëkalime janë mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste qytetarët që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë.
Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës.
Ekipi i shërbimit të Ballkanit i Radios Evropa e Lirë njoftoi se pa persona të maskuar në afërsi të bllokadës së vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak, dje natën. Këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën, shoqatat serbe i vendosën në shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri, nga autoritetet kosovare.
Organizatorët e bllokadave duan që Kosova të tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbe në veri, të lejojë përdorimin e dinarit serb, që u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.