Fshehu “të fortin e Niklës”, arrestohet Klajdi Haka!
Me akuzën se fshihte në banesë të shumëkërkuarin Marklen Haka, policia prangosi Klajdi Hakën, banues në Zezë të Niklës. 21-vjeçari i arrestuar në vijim të operacionit të koduar “Liqeni i Bacungut” akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit të banesës, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë. Materialet i kaluan Prokurorisë.
Njoftimi zyrtar:
Në vijim të operacionit policor të koduar “Liqeni i Bacungut”, të dhënë ditën e djeshme, u arrestua shtetasi Klajdi Haka, 21 vjeç, banues në Zezë, Nikël, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 278/4 dhe 302 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. H., (banesa ku fshihej shtetasi M.H., alias M.A.) është gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Një ditë më parë u arrestua i shumëkërkuari Marklen Haka, i njohur dhe si Marklen Aliu, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Policia njoftoi:
Falë inteligjencës policore, shërbimet e DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, organizuan operacionin për kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu. Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie e rrezikshmërie dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot (e premte 6 shtator) rreth orës 14:00.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme (6 shtator) është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka (alias Marklen Aliu).
Marklen Haka rezultonte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi” e mbi të rëndojnë një sërë akuzash për vepra të rënda penale. Po ashtu, si njihet si pjesë e “Bandës së Niklës” ndërsa më 15 maj të këtij viti për të u lëshua edhe një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme, GJKKO e që lidhet me akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit. Më herët, Marklen Haka i ka shpëtuar dy atentateve në vitet 2019 e 2022, ku mbeti e vrarë halla e tij.