Harris dhe Trump qasje të ndryshme mbi shitjet e armëve në SHBA! Demokratja kërkon ashpërsimin e ligjeve, ish-presidenti premton heqjen e kufizimeve!
Sulmi me armë në një shkollë të mesme në shtetin e Xhorxhias të mërkurën solli sërish në qendër të vëmendjes numrin e lartë të vrasjeve me armë në Shtetet e Bashkuara krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara në botë, sipas ekspertëve të shëndetësisë.
Nënpresidentja Kamala Harris kërkon ashpërsimin e ligjeve të armëmbajtjes. Ndërsa, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, rivali i saj republikan Donald Trump, ka premtuar heqjen e kufizimeve për armëmbajtjen.
Sulmi me armë në shkollën e mesme në Winder të Xhorxhias të mërkurën la disa të vrarë dhe të plagosur. Nënpresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris reflektoi mbi incidentin gjatë një tubimi fushate në Nju Hempshër.
“Ne duhet t’i japim fund kësaj epidemie të dhunës me armë në vendin tonë njëherë e përgjithmonë. Këto incidente nuk duhet të ndodhin”, tha ajo.
Dhuna me armë në Shtetet e Bashkuara mori një vëmendje të madhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate këtë vit.
Nënpresidentja Harris parashtroi përparësitë e saj për këtë çështje që në fillim të fushatës së saj.