Qyteti ku është e ndaluar të luash kriket!
Një grup të rinjsh nga Bangladeshi zbuluan se është e ndaluar të luash kriket në qytetin italian ku ata jetonin. Teksa një ditë po zhvillonin një lojë në Monfalcone, buzë Adriatikut, efektivë të policisë lokale ndërprenë gjithçka dhe i gjobitën me 100 euro. Siç mësuan më vonë, gjoba ishte e ligjshme, pasi kryebashkiakja e qytetit kishte miratuar një vendim që e kishte shpallur të paligjshëm këtë sport.
“Ata thonë që kriketi nuk është për Italinë, por unë mendoj se na ndalojnë ngaqë jemi të huaj”-thotë për BBC Miah Bappy, kapiteni i skuadrës së adoleshentëve nga Bangladeshi. Ndalimi i kriketit është bërë simbol i tensioneve në qytetin e vogël pranë Triestes. Nga 30 mijë banorët e tij, rreth 30% janë të huaj. Shumica janë myslimanë nga Bangladeshi që kanë mbërritur aty që prej fillimit të viteve 1990, për të punuar në industrinë e ndërtimit të anijeve të mëdha.
Sipas kryebashkiakes Anna Maria Cisint, pjesë e partisë Lega, rrënjët kulturore të Monfacone-s janë në rrezik. Ajo fitoi zgjedhjet duke mbajtur fjalime kundër emigrantëve dhe ka shpallur si mision mbrojtjen e vlerave të krishter. “Po fshihet historia jonë”-thotë ajo për BBC. “Sikur nuk ka më vlerë për ne. Gjithçka po ndryshon për keq. Ka një proces të fortë fondamentalizmi islamik. Një kulturë ku gratë trajtohen shumë keq dhe shtypen nga burrat”.
Sa për kriketin, ajo thotë se nuk ka para apo hapësirë për të ndërtuar një fushë të re dhe thotë edhe se topat e kriketit janë të rrezikshëm. “Ata nuk i japin asgjë komunitetit tonë, zero”-thotë ajo. “Le të shkojnë të luajnë kudo ku kanë dëshirë, jashtë Monfalcone-s”. Edhe pse është mjaft i përhapur në Azi, sporti i kriketit ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar, fillimisht si një lojë fëmijësh rreth Mesjetës.