“TTi Viaggi”: Shqipëria, destinacioni perfekt për pushime!
“Shqipëria është një nga ato vende që ka pasur suksesin më të madh vitet e fundit duke tërhequr një numër në rritje të vizitorëve ndërkombëtarë, veçanërisht në periudhën e verës”. Një artikull i botuar në revistën italiane të udhëtimeve “TTi Viaggi” është i radhës që konfirmon një gjë të tillë pasi në mediat botërore po i bëhet gjerësisht jehonë Shqipërisë turistike. Sugjerimet vijnë nga shumë vende të botës që përshkruajnë vendin tonë si një destinacion për të mos u humbur.
Falë plazheve të bukura, ujërave të pastra dhe kostos së ulët të jetesës, sot shumë turistë zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve. Prej disa vitesh, sidomos pas pandemisë së COVID-19/ës, luftës në Ukrainë e të gjitha problemeve që lidhen me inflacionin, rritjen e kostos së jetesës, kushdo që shkon me pushime kërkon të kursejë sa më shumë që të jetë e mundur, por pa sakrifikuar cilësinë.
Pikërisht duke pasur parasysh këtë, disa vende kanë filluar të rivalizojnë gjigantët turistikë si Greqia apo Spanja, duke u bërë destinacionet e preferuara për pushime verore, me kosto të ulët.
Mes tyre kryeson Shqipëria, e cila përveçse është kthyer në një destinacion perfekt për të rinjtë mund të jetë ideale dhe për ata që kanë një buxhet të kufizuar për të investuar për pushime.
Falë politikave sociale, vendi mesdhetar ka filluar të tërheqë edhe turistë të moshës së tretë e investitorë të huaj po ashtu.
Ka disa faktorë që e bëjnë Shqipërinë të suksesshme. Vendi ballkanik është ende një destinacion pak i njohur edhe pse numri i turistëve që e vizitojnë atë është në rritje e nuk është prekur ende nga turizmi masiv.
Në Shqipëri, ju do të keni mundësinë që të hani mirë e të shpenzoni pak. Akomodimet janë të një standardi të lartë, por me çmime të ulëta. Gjithashtu, në vend ofrohen plazhe të mrekullueshme me kosto të përballueshme.