Kaos te Kosova para ndeshjes me Qipron! Zhegrova, Muric dhe Muslija përjashtohen nga grumbullimi, zbulohet arsyeja!
Përfaqësuesja e Kosovës nuk po kalon aspak momente të mira në fushë dhe gjërat sa vijnë e bëhen më keq. Pas disfatës 3-0 me Rumaninë, trajneri Franco Foda ka përjashtuar tre lojtarë nga grumbullimi përpara takimit me Qipron.
Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, Arjanet Muric dhe Florent Muslija, të tre për thyerje të disiplinës. Trajneri gjerman nuk i ka toleruar yjet dardanë dhe i ka larguar menjëherë nga kombëtarja për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve, ky ndoshta edhe si mësim për lojtarët e tjerë, që askush nuk është i paprekshëm.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, skuadrës i është bashkuar portieri i Dritës, Faton Maloku, i cili ndodhej në listën e pritjes.
“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’i bashkohet, portieri që ka qenë në listën e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”, shkruan Federata e Kosovës në komunikatën e saj.