Von der Leyen: 2030 mund të jetë afat real për zgjerimin e BE-së!
Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar do të ketë një komisioner për zgjerim.
Ajo e ka thënë këtë për të treguar se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë.
Edhe në përbërjet e deritashme të Komisionit Evropian ka pasur komisionar për zgjerim, por ai ka qenë përgjegjës edhe për politikën fqinjësore të BE-së. Me zgjerimin është marrë vetëm pjesërisht, pasi në resorin e tij ka pasur përgjegjësi edhe për vendet në fqinjësi të BE-së – nga lindja e Evropës deri te vendet e Afrikës së Veriut.
Hera e fundit kur Komisioni Evropian ka pasur komisionar vetëm për zgjerim, ka qenë gjatë mandatit të parë të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Jose Manuel Barroso, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Asokohe, këtë rol e ka pasur komisionari Olli Rehn. Më pas, për tri mandate radhazi të Komisionit, komisionari për zgjerim ka qenë i angazhuar edhe me politikën ndaj fqinjëve.
Drejtoria për zgjerim është shndërruar, po ashtu, në drejtori të përgjithshme për fqinjësi dhe zgjerim. Shkurtesë e saj ishte NEAR, që nga anglishtja i bie ‘afër’. Kjo është shpjeguar me faktin se vetëm disa vende kanë qenë në procesin e zgjerimit dhe shumica prej tyre në fazën fillestare.
Tani, me përfshirjen e tri vendeve të Evropës Lindore në procesin e zgjerimit – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës – si dhe Turqisë – numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë.
Të gjitha, me përjashtim të Kosovës, kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok që në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj deri më tani nuk është shqyrtuar.
Në BE, ndërkohë, është rritur mbështetja për procesin e zgjerimit dhe pritet që ai të përshpejtohet.
Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030 si afat deri kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate do të duhej të bëheshin gati për zgjerim.
Edhe udhëheqës të tjerë të BE-së kanë bërë thirrje që të dyja palët, si vendet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian, të kryejnë pjesën e tyre të punës, për të mundësuar realizimin e qëllimit të procesit të zgjerimit, përkatësisht pranimin formal të vendeve kandidate në BE.
Mali i Zi, si vend që ka avancuar më së shumti në procesin e negociatave të anëtarësimit, është edhe më ambicioz.
Presidenti i tij, Jakov Millatoviq, ka shprehur bindjen se Mali i Zi do të mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028.
Megjithatë, në BE thonë se nuk mund të caktohet data se kur dhe cili vend mund të anëtarësohet, sepse kjo varet nga meritat individuale të kandidatëve dhe rezultatet e tyre në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
Diplomatët në BE pranojnë se, nëse ka vullnet politik nga të dyja anët, atëherë edhe afatet kohore – sidomos viti 2030 – për të pranuar anëtarë të rinj në BE, mund të jenë reale.
Vendet kandidate duhet të përshpejtojnë në procesin e reformave, ndërsa vendet e BE-së duhet të pajtohen për hapjen dhe mbylljen më të shpejtë të kapitujve përkatës në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Diplomatët në Bruksel pranojnë se edhe BE-ja, edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë nevojë për dëshmi konkrete se zgjerimi i BE-së është real dhe i mundshëm.
Prej vitesh, përveç përmendjes së zgjerimit si prioritet, nuk ka pasur ndonjë rezultat të dukshëm në këtë proces. Vendi i fundit që është anëtarësuar në BE, ka qenë Kroacia në vitin 2013.
Që prej themelimit të Bashkimit Evropian nuk ka ndodhur që të kalojnë kaq shumë vite pa pasur zgjerim. Për më tepër, BE-ja ndërkohë është tkurrur nga 28 anëtare në 27, pasi Britania e Madhe ka dalë prej saj.
Tani, përkundër gatishmërisë së Komisionit Evropian për zgjerim, fati i këtij procesi varet nga vendet anëtare, pasi vendimet në Këshill miratohen me pajtimin e të 27 vendeve.