EMRAT/ Shkatërrohet grupi shqiptar i drogës në Greqi
Një operacion i mirëorganizuar i forcave speciale greke EKAM në bashkëpunim me Rojen Bregdetare dhe nën koordinimin e Njësisë Anti-Drogë, ka çuar në arrestimin e 4 personave dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, të akuzuar për ngritjen e një plantacioni të madh marijuane në Argolida.
6 nga të dyshuarit janë shqiptarë nga Shqipëria e Jugut, njëri prej të cilëve person në kërkim në Greqi dhe tjetri me precedentë për drogë në Shqipëri.
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, forcat speciale EKAM dhe një mjet i Rojes Bregdetare, kanë ndërhyrë në një zonë bregdetare, pyjore, në Galanaika, Epidavrou në Argolida. Brenda një plantacioni me fidanë marijuane, u kap shtetasi shqiptar Skënder Toska, 42 vjec nga Përmeti. Nga kontrolli në parcelë u gjetën 387 bimë narkotike me lartësi nga 20 cm deri në 2 metra. Gjatë operacionit ai ka kundërshtuar me dhunë efektivët e forcave speciale të cilët kanë arritur ta neutralizojnë. Gjatë kontrollit personal atij i janë gjetur edhe 130 gram marijuanë të cilën rezultoi se do ja dorëzonte shtetasve Andon Çela dhe Gramos Dervishi, të dy nga Roskoveci, si monstër për të tërhequr blerës.
Hetimi zbuloi se kultivimi i drogës ishte kryer nga 42 vjecari i arrestuar si dhe nga shtetasit Pëllumb Toska 31 vjec dhe Ermal Hoxha 43 vjec. Policia ka arritur të arrestojë 31-vjecarin brenda plantacionit ndërsa Hoxha nuk është gjetur dhe është shpallur në kërkim. Këta shtetas e kryenin kultivimin për llogari të pjestarëve të tjerë të grupit kriminal.
Operacioni ka vijuar në një banesë në katin e parë në rrugën “Kalama” nr.25 në Athinë, ku është vënë në pranga Andon Cela 49 vjec nga Roskoveci. Atij i është gjetur një sasi prej 3.5 gram marijuanë, e cila përdorej si monstër për t’ja treguar blerësve të mundshëm. Ndërkohë në një apartament në Pire, është arrestuar greku Stefanos Dolomas 49 vjec. Këtij të fundit i janë gjetur në banesë 91.7 gram marijuanë, të cilat do i dorëzonte tek Andon Cela dhe tek shtetasi Gramos Dervishi 45 vjec nga Strumi i Roskovecit, me qëllim që sasia t’i tregohej si monstër blerësve të mundshëm. 45-vjecari Dervishi nuk është gjetur nga policia dhe është shpallur në kërkim. Në posedim të shtetasit grek është gjetur edhe një sasi prej 0.6 gram kokainë.
Policia ka identifikuar edhe një tjetër pjesëtar të grupit kriminal, shtetasin Lame Hyska 44 vjec nga Kurjani i Roskovecit, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas policisë greke, nga metodologjia e veprimit të anëtarëve të sipërpërmendur të organizatës kriminale, struktura e tyre hierarkike dhe rolet e tyre, krijimi i infrastrukturës së përshtatshme për fazat e ndryshme të prodhimit të lëndëve narkotike, kapaciteti i plantacionit të fidanëve të marijuanës dhe sasitë e pritshme në prodhim, përzgjedhja e një zone të vështirë dhe për rrjedhojë jo lehtësisht të aksesueshëm nga autoritetet për ngritjen e plantacionit, rezulton një infrastrukture profesionale nga ana e anëtarëve të saj, duke siguruar veprimtarinë e tyre kriminale të pandërprerë me qëllim vjeljen e një sasie të madhe të lëndëve narkotike dhe trafikimin e tyre, për të përfituar një shumë të madhe të ardhurash të paligjshme, të llogaritura së paku 560.000 euro.
Në total janë sekuestruar 387 bimë narkotike marijuanë, 225.2 gram marijuanë, 0.6 gram kokainë, 5 automjete, 2270 euro, 8 celularë, 2 peshore, 4 llamba inkandeshente, të cilat përdoren për rritjen e marijuanës me metodën hidroponike dhe pajisje për kultivimin e marijuanës.
ROLET E TË DYSHUARVE
1.Andon Cela 49 vjec nga Roskoveci (i arrestuar), me rol drejtues, përgjegjës i grupit kriminal, përgjegjës për gjetjen dhe dhënien e burimeve financiare për nevojat e grupit, përgjegjës për gjetjen e vendeve të përshtatshme për mbjelljen e fidanëve të marijuanës, si dhe përgjegjës për furnizimin e anëtarëve të grupit brenda zonës së plantacionit me të gjitha furnizimet e nevojshme.
2.Gramos Dervishi 45 vjec nga Strumi i Roskovecit (në kërkim), përgjegjës për furnizimin e të gjithë anëtarëve të grupit brenda zonës së plantacionit me të gjitha furnizimet e nevojshme, së bashku me Andon Celën, si dhe për shpërndarjen e sasive të vjela të drogës.
3.Lame Hyska 44 vjec nga Kurjani i Roskovecit (në kërkim), vepronte si ofrues i mjeteve të transportit për të lehtësuar qëllimet e grupit.
4.Stefanos Dolomas 49 vjeç, grek (i arrestuar), vepronte si përgjegjës për ruajtjen e mostrave të sasive të korrura të marijuanës.
5.Skënder Toska 42 vjec nga Përmeti (i arrestuar), 6. Pëllumb Toska 31 vjec (i arrestuar) dhe 7. Ermal Hoxha 43 vjec (në kërkim), vepronin si përgjegjës për kultivimin e marijuanës dhe ruajtjen e plantacionit.
Nga verifikimi i policisë greke rezulton se Andon Çela ishte person i shpallur në kërkim me urdhër nr. 6 datë 03.04.2024 i Hetuesit të Krimeve të Lamias, për anëtarësim në organizatë kriminale dhe rast veçanërisht të dalluar të trafikut të drogës në format e kultivimit të bimëve të gjinisë së kanabisit, shitjen dhe mbajtjen e lëndëve narkotike, të kryera bashkërisht dhe në mënyrë të njëpasnjëshme nga autorë që veprojnë në kuadër të një organizate kriminale.
Po kështu Skënder Toska, rezulton i arrestuar në vitin 2020 në Përmet në kuadër të operacionit “Mezhgorani” për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Top Channel