Eminem do të hapë ceremoninë e “MTV Video Music Awards” për herë të parë në 14 vjet!
Reperi i njohur Eminem do të hapë spektaklin e “MTV Video Music Awards” këtë javë për performancën e parë televizive të këngëve nga albumi i tij i ri, “The Death of Slim Shady”. Fituesi i shumë çmimeve Grammy, hapi për herë të fundit ceremoninë në vitin 2010, kur performoi këngën “Not Afraid” dhe duetin “Love the Way You Lie” me yllin e popit Rihanna.
Performanca e tij më e fundit në këtë ceremoni ishte në vitin 2022, kur një kompani me NFT prezantoi avatarin e tij dhe të Snoop Dogg përmes teknologjisë metaverse. Eminem këtë vit është në nominim për tetë çmime, duke përfshirë videon e vitit, këngën e verës, projekti më i mirë Hip-Hop, dhe performancën më ikonike të VMA-s, të përzierjes së këngëve “Real Slim Shady” dhe “The Way I Am”. Vetëm një fitore do të siguronte statusin e tij si artisti mashkull më i dekoruar në historinë e VMA-ve.
Së fundmi bëhet e ditur se një çështje gjyqësore e nisur që në vitin 2019 mes reperit Eminem dhe kompanisë së transmetimit të këngëve Spotify ka përfunduar. Por ylli i muzikës nuk ka mundur të marrë asnjë nga paratë e pretenduara për transmetimin pa leje të këngëve të tij. Kompania muzikore “Spotify” ka fituar një çështje gjyqësore ndaj Eminem, në të cilën akuzohej për transmetim të muzikës së këngëtarit pa lejen e tij.
Rasti u bë publik nga menaxheri i reperit, i cili pretendonte në vitin 2019 se Spotify nuk arriti ta licensonte repertorin e Eminem. Ata e paditën për rreth 30 milionë dollarë, duke thënë se ylli tashme 51-vjeçar nuk e kishte marrë kurrë pagesën e plotë për këngë si “Lose Yourself” dhe “Without Me”, të cilat janë transmetuar në Spotify miliarda herë.
Por një gjykatës në Tennessee të SHBA ka vendosur që Spotify nuk do të jetë përgjegjëse për asnjë qindarkë të humbur, pavarësisht se zbuloi se nuk kishte licencë për të transmetuar këngët ashtu siç pretendonte pala e Eminem. Gjykata gjithashtu arriti në përfundimin se, nëse Spotify do të shpallej fajtor për shkelje të të drejtave të autorit, çdo ndëshkim do të duhej të paguhej nga Kobalt Music Group, i cili mblidhte shikimet në emër të menaxherit të Eminem.