Sali Berisha në SPAK: I hetuar në 3 breza/Deklarata para komunikimit të akuzës!
Pas mbi 8 muajsh në arrest shtëpie lidhur me privatizimin e klubit sportiv Partizani në Tiranë, Sali Berisha ka shkuar në SPAK ku para komunikimit të akuzës lidhur me këtë dosje lexoi një deklaratë para gazetarëve ndërsa aty u mblodhën mbështetës të ish-kryeministrit që protestuan duke thërritur: Poshtë diktatura!
Berisha tha se është në arrest shtëpie prej dëshirës së Edi Ramës e akuzoi SPAK-un për 4 vjet hetime për të fshehur prova. Po ashtu, vuri në dukje se po shkon të njihet me atë që e quajti “akuzë politike”. Në godinën e rrethuar nga policia, sot shkon dhe dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, për të cilin kreu demokrat tha se mori tokë të trashëguar. Për Berishën, kjo është hera e dytë në SPAK. Ndër të tjera mohoi që firma e tij ekziston në ndonjë dokument.
Sali Berisha u vu nën arrest me kallëzimin e rremë të Taulant Ballës se toka në territorin e Klubit Partizani nuk iu takonte pronarëve mbasi ishte shpronësuar nga autoritetet italiane. Prokurorët e dinin që ky ishte mashtrim sepse fletoret zyrtare të vitit 1942-1943 faktojnë qartë se ajo tokë nuk është shpronësuar kurrë por ishte vendosur nën rekuizim për 6 muaj.
Nga dhjetëra zyrtarë që kanë firmosur dokumentet e procesit të njohjes e kthimit te pronarët legjitimë të tokës së konfiskuar nga regjimi komunist dhe para blerjes prej tyre të objekteve të Klubit Partizani, asnjë nuk është në ndjekje penale sepse ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit.
Firma e Sali Berishës nuk ekziston në asnjërin prej këtyre dokumenteve. Nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument që të tregojë se Berisha ka kërkuar apo i ka bërë presion ndokujt që të firmosë qoftë dhe një dokument të vetëm në procesin e njohjes dhe kthimit të pronës e të të drejtës së parablerjes, në rastin e privatizimit të Klubit Partizani.
Në vitet 2006-2013 nuk ka asnjë ligj apo VKM nominative të miratuar në lidhje me pronësinë dhe privatizimin. Të gjithë ligjet dhe VKM janë miratuar për të gjithë popullsinë dhe prej tyre pa asnjë diskriminim kanë përfituar nga procesi i njohjes, rikthimit dhe parablerjes së objekteve nga ish-pronarët legjitimë, mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë.
Ndër këta pronarë të ligjshëm, dhëndri im, Jamarbër Malltezi ka përfituar 410 metër katrorë tokë te Klubi Partizani të trashëguar nga familjarë të tij, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi komunist.
Sali Berisha tha se u vu nën arrest me pretendimin se ka nisur procesin e privatizimit të Klubit Partizani dhe ka ndryshuar destinacionin.
Ndërkohë dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga qeveria socialiste, kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama. Në rastin e ndërrimit të destinacionit të Klubit Partizani, shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë.
SPAK-u ka anashkaluar të gjitha vendimmarrjet e Bashkisë së Edi Ramës dhe ka shkuar drejt e tek kryeministri i vendit, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese e kishte të ndaluar t’i ndryshonte ato.