10 paund për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar? Cili është ligji i ri e kur futet në fuqi?
Nga viti i ardhshëm, qytetarët evropianë që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar do të kenë detyrimin të paguajnë një tarifë prej 10 paundësh për hyrjen në ishull. Ky rregull i ri, i cili fillimisht u aplikua vetëm për qytetarët e Katarit, Bahreinit, Omanit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, do të zgjerohet për të përfshirë qytetarët e Bashkimit Evropian që nga pranvera e vitit 2025. Një pagesë e tillë do të jetë gjithashtu e detyrueshme për udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga nëntori i vitit 2024.
Tarifa do të duhet të paguhet nga çdo person që hyn në Britaninë e Madhe pa vizë, duke përfshirë foshnjat dhe fëmijët. Po ashtu, tarifa do të zbatohet edhe për ata që hyjnë në vend me vizë pune apo studimi. Shtetasit e Republikës së Irlandës janë të përjashtuar nga kjo tarifë.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian do të implementojë një tarifë të ngjashme për qytetarët e palëve të treta që udhëtojnë pa vizë në zonën Schengen, duke filluar nga viti i ardhshëm, e cila do të kushtojë 7 euro. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë zbatuar një sistem të ngjashëm që nga viti 2009, kërkojnë një tarifë prej 21 dollarësh për një autorizim elektronik të udhëtimit që është i vlefshëm për 2 vjet.