E rëndë/ E moshuara dhunohet barbarisht nga nusja, djali i saj mbyll sytë dhe veshët
Një rast i rëndë dhune në familje ka ndodhur në Shkodër ku e moshuara 86-vjeçare N.B., është dhunuar brutalisht nga nusja e djalit të saj.
Sipas raportimeve nga fqinjët, të cilët e gjetën të moshuarën dhe e dërguan në spital, nusja, E.B., e ka dhunuar vjehrrën me shkopin e dorës, ndërsa djali i saj, Y.B., e ka mbajtur të mbyllur në shtëpi.
Fqinjët shprehen se kjo nuk është hera e parë që e moshuara është dhunuar, ndërsa djali i saj nuk ka reaguar për të mbrojtur të ëmën.
Ngjarja e rëndë është bërë publike nga banorët e zonës, të cilët i bëjnë thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar këto akte mizore dhe për të siguruar drejtësi për të moshuarën.
Aktualisht, i biri dhe nusja janë thirrur në komisariat për t’u marrë në pyetje, ndërsa e moshuara po merr trajtim mjekësor në spital.
Ky rast ka tronditur komunitetin lokal, duke nxjerrë në pah problemin e dhunës në familje, sidomos ndaj të moshuarve, dhe ka nxitur kërkesat për veprime të rrepta ligjore ndaj përgjegjësve.