Brezi i sotëm i grave të reja me prirjet më liberale prej dekadash/Studim!
Gratë e moshës së re në Shtetet e Bashkuara kanë prirjet më liberale të kësaj kategorie prej dekadash, sipas një studimi të ri të organizatës Gallup, e cila e bazon këtë përfundim në analizën e sondazheve të mbledhura përgjatë 20 viteve. Gjatë viteve të fundit, rreth 4 në 10 gra të reja, që u takojnë moshave 18 deri në 29 vjeç, i kanë përshkruar pikëpamjet e tyre politike si liberale, krahasuar me para 2 dekadash kur rreth 3 ndër 10 prej tyre identifikoheshin si të tilla.
Për shumë gra të brezit të ri, identitetit i tyre liberal nuk është vetëm çështje kategorie. Përqindja e grave të reja që kanë qëndrime liberale mbi çështjet e ambientit, abortit, marrëdhënieve racore dhe ligjeve mbi armëmbajtje tani është numër dyshifror. “Gratë e moshës së re nuk po identifikohen si liberale vetëm se u pëlqen ky emërtim apo se ndihen më komode me të, apo sepse e respektojnë dikë që e përdor këtë emërtim”-thotë drejtoresha e Gallup-it për hulumtimin e çështjeve shoqërore në Shtete e Bashkuara, Lydia Saad. “Ato në fakt janë bërë shumë më liberale në pikëpamjet e tyre.”
Nëse ky grup i grave të reja me pikëpamje të qarta liberale shndërrohet në një grup politik të qëndrueshëm, kjo do t’i bënte ato forcë me peshë të rëndësishme politike, sipas drejtores Saad. Ndonëse është e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë po i bënë gratë e reja më liberale, ato tashmë kanë të njëjtat këndvpështrime për shumë çështje, gjë që e bën më të lehtë motivimin e tyre përmes fushatave.
Gratë e reja tashmë janë një trup votuesish me prirje demokrate sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Associated Press mbi votuesit amerikanë, 65% e votuesve nën moshën 30 vjeçe votuan për kandidatin demokrat Joe Biden në vitin 2020 por ato nganjeherë janë më të paparashikueshme përsa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Gratë e brezit të ri filluan të dallohen në aspektin ideologjik nga grupet tjera, përfshirë nga burrat e moshës 18 dhe 29 vjeçe, si dhe nga gratë dhe burrat e moshës mbi 30 vjeç, gjatë mandatit të Presidentit demokrat, Barack Obama.
Kjo prirje duket se u përshpejtua kohët e fundit, rreth kohës së zgjedhjes së republikanit Donald Trump për president, lëvizjes #MeToo dhe përpjekjeve gjithnjë e më të suksesshme të lëvizjes për të kufizuar të drejtën e abortit. Njëkohësisht, më shumë gra, shumica e tyre demokrate, janë zgjedhur përfaqësuese në Kongres, si guvernatore dhe në legjislaturat shtetërore, duke u mundësuar grave të reja përfaqësim të ri dhe modele për t’i frymëzuar në politikë.
Ndryshimi në identifikimin politik të grave të reja po ndodh në të gjitha drejtimet, sipas Gallupit dhe ai nuk po nxitet nga një nëngrup i veçantë. Përkrahja që këngëtarja Taylor Swift i dha kandidates demokrate për presidente Kamala Harris pas debatit me ish-Presidentin Trump, ilustroi njërën prej çështjeve ku gratë e reja kanë lëvizur në anën e majtë të spektrit politik. Në një postim në rrjetin social Instagram, përmes të cilit këngëtarja Swift i dha përkrahjen e saj kandidates demokrate, ajo vlerësoi dyshen demokrate Harris-Walz për jehonën që po u bëjnë të drejtave reproduktive.
Analiza e Gallup-it erdhi në përfundim se që nga epoka e Presidentit Obama, gratë e reja për gati 20% janë më të gatshme të mbështesin të drejtat e gjera rreth abortit. Një rritje e ngjashme e përqindjes është gjetur edhe tek gratë e reja që thonë se mbrojtjes së ambientit i duhet dhënë më shumë përparësi se rritjes ekonomike dhe tek përqindja e grave të reja që thonë se ligjet mbi armëmbajtjen duhet të jenë më të rrepta. Tani, sipas drejtoreshës Saad, një shumicë e qëndrueshme e grave të reja kanë pikëpamje liberale përsa u përket çështjeve të abortit, ambientit dhe ligjeve për mbajtjen e armëve.