Nga një serial i anuluar në një prej më të ndjekurve në botë, e kemi fjalën për “Manifest”!
Seriali “Manifest”, i cili flet për pasagjerët dhe ekuipazhin e një aeroplani që u zhduk dhe më pas u shfaq papritur pas pesë vitesh, u bë hit pasi Netflix mori të drejtat e transmetimit. Seriali fillimisht u transmetua në NBC në vitin 2018, por u anulua pas tri sezonesh. Në gusht të vitit 2021, vetëm disa muaj pasi NBC e anuloi serialin, Netflix bleu të drejtat dhe njoftoi sezonin e katërt, i cili theu të gjitha rekordet.
“Aeroplani komercial i pasagjerëve papritur u shfaq pesë vjet pas zhdukjes dhe pasagjerët duhet të ri-integrohen në shoqëri”-shkruhet në sinopsis. Aeroplani në fluturimin 828 të Montego Air u ngrit në prill të vitit 2013 nga Montego Bay në Xhamajkë për në Aeroportin Ndërkombëtar “John F. Kennedy” në New York dhe më pas u zhduk duke u shfaqur përsëri në nëntor 2018. Pas uljes në New York, të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi u pritën nga zyrtarët qeveritarë, të cilët u thanë se kishin qenë të humbur për pesë vjet e gjysmë dhe se ishin shpallur të vdekur.
Në sezonin e katërt luajnë shumica e ekipit nga seriali origjinal, duke përfshirë Melissa Roxburgh, Josh Dallas, JR Ramirez, Luna Blaise, Parveen Kaur dhe Matt Long si dhe Ty Doran, i cili u bashkua me ekipin si Cal i rritur në finalen e sezonit të tretë. Që kur u shfaq në Netflix, “Manifest” u bë një hit i madh dhe një nga serialet më të shikuara në platformën e njohur të transmetimit.
Episodi i parë i sezonit të katërt u publikua në nëntor të vitit të kaluar dhe i dyti në qershor të këtij viti, por Netflix nuk ka njoftuar zyrtarisht një sezon të pestë, gjë që duhet të nënkuptojë se seriali ka përfunduar. Sipas raportit të Variety për vitin 2022, episodet fillestare të sezonit të katërt kishin 57.1 milionë orë shikimi në tri ditët e para.
Por duke marrë parasysh që shumë shikues e kanë quajtur “Manifest” si “serialin më të mirë të Netflix-it ndonjëherë”, fansat shpresojnë që një sezon i pestë të jetë në horizont. Sezoni i katërt i “Manifest” ka një vlerësim mbresëlënës prej 88 për qind në Rotten Tomatoes dhe kritikët e kanë lavdëruar hitin e Netflix.