BE-ja mirëpret thirrjet e presidentit Vuçiç për riintegrimin e serbëve në Kosovë!
Referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për serbët në Kosovë, Bashkimi Europian iu kërkon të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Zëdhënësi Peter Stano:
Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiç për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht marrim dhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë e të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022.
Stano i bëri komentet në përgjigje të kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar disa masa që Vuçiç parashtroi javën e kaluar. Ndër të tjera, ato përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veriun me shumicë serbe, si dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun e të gjyqtarëve dhe prokurorëve po serbë, në funksionet e tyre.
Komunat në veri po udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë serbë i bojkotuan zgjedhjet atje. Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor 2022 kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Prishtinës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave, me të Kosovës.
Stano tha se BE-ja, vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit që të nxisë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa Prishtinës, që ta mundësojë.
“Marrëveshjet e dialogut parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje e duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.
Në këtë kontekst, zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm.
Stano iu referua kërkesës së Vuçiçit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deri tani kërkesat e Vuçiçit. Stano përsëriti thirrjet për shmangien nga retorika nxitëse dhe hapat e njëanshëm.
Retorika nxitëse dhe mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme e të pakoordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre.
Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit të tyre konstruktiv në procesin e normalizimit. Për këtë, rasti i parë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel. Bashkimi Europian do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë qytetarëve në Kosovë e në Serbi, në aspiratat e tyre përkatëse për t’u anëtarësuar në Union.