“Joker”, 9 në pranga për lojëra fati të paligjshme në Tiranë!
Organizonin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, nëntë vetë ranë në prangat e bluve të kryeqytetit në kuadër të operacionit policor të koduar “Joker”. Kjo pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative lidhur me një lokal në zonën e Sharrës, ku po zhvilloheshin aktivitetet e paligjshme. Të nëntë të arrestuarit në flagrancë janë të moshave të ndryshme.
Në njoftimin zyrtar thuhet se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR. Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Joker”, duke arrestuar në flagrancë 9 persona të cilët organizonin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative për një lokal në zonën e Sharrës, ku po zhvilloheshin aktivitetet e paligjshme.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: D. Xh., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”; O. M., 35 vjeç, E. H., 23 vjeç, A. Xh., 30 vjeç, L. Q., 22 vjeç, E. Gj. 33 vjeç, E. H., 24 vjeç, E. K., 33 vjeç, dhe J. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Në Tiranë, si dhe në të tjera zona të vendit, policia organizon vazhdimisht operacione për të goditur lotaritë e palejuara e të tjera veprimtari të paligjshme në lokalet e përshtatura për aktivitetin e ndaluar. Materialet procedurale përcillen në prokuroritë përkatëse.