Vazhdon beteja e Europës Qendrore me shirat e përmbytjet!
Ashtu si ditët e fundit edhe sot nuk ka ndryshime sa i përket emergjencës nga moti i keq në vendet e Europës Qendrore ku banorët dhe autoritetet po vazhdojnë që të përballen me reshje të dendura shiu dhe përpiqen të minimizojnë pasojat. Por, përmbytjet nuk shmangen. Në Rumani, vendin më të goditur ka një rëndim të bilancit të viktimave. Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur.
Në Austri, një zjarrfikës humbi jetën gjatë një operacioni shpëtimi. Edhe në Poloni u raportua një viktimë nga mbytja ndërsa në Republikën Çeke, katër persona ende po rezultojnë të zhdukur. Provinca austriake që rrethon kryeqytetin Vjenë u shpall “zonë fatkeqësie” ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Në jugperëndim të Polonisë, dy diga raportohet se kanë shpërthyer, teksa autoritetet kanë thënë se situata është “kritike”. Në Rumani, rreth 20 komuna në tetë qarqe rumune janë prekur nga vërshimet. Mijëra shtëpi janë dëmtuar dhe dhjetëra mijëra persona janë prekur nga përmbytjet apo janë evakuuar.
Lëvizjet e trenave mes Polonisë e Republikës Çeke u pezulluan. Në Çeki, rreth 250 mijë familje vazhdojnë që të jenë pa energji elektrike. Në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava.
Instituti Kombëtar i Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujit në Rumani lëshoi alarmin e kuq për qarqet Galati e Vaslui, ku në disa zona, uji arriti deri në 3 metra. Parashikimet janë që shirat dhe erërat e forta që nisën në fund të javës së kaluar, të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Kryeministri rumun Marcel Ciolacu ka njoftuar se janë ngritur vendstrehime të përkohshme për njerëzit që janë në rrezik nga vërshimet. Këtë njoftim, e bëri teksa të shtunën e kaluar vizitoi një prej qarqeve të goditura më rëndë, Galati. Kreu i qarkut të Galatit, Costel Fotea, tha se më shumë se 20 mijë banorë në të paktën 24 komunitete janë prekur rëndë nga përmbytjet.