Amerikë-Serbi, marrëveshje në fushën e energjisë!

vovalbania September 18, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Amerikë-Serbi, marrëveshje në fushën e energjisë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia sot do të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë. Fundjavën e kaluar, lajmin e bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit, DASH në Uashington. Në njoftimin zyrtar të DASH-it thuhej:

Kjo marrëveshje do të zgjerojë mundësitë e kompanive amerikane për të investuar në sektorin energjetik të Serbisë, përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do të forcojnë marrëdhëniet SHBA-Serbi.

Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit, pritet të flasin nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose W. Fernandez e Ministri serb për punët e Jashtme, Marko Gjuriç.

Muaj më parë, qeveria e re serbe bëri të qartë qëndrimin se përveçse me Kinën e Rusinë, Serbia do të mbajë miqësi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA. Por, nuk kaloi shumë dhe Beogradi sfidoi Uashingtonin duke emëruar në postin e zv.kryeministrit Aleksander Vulinin, ish-shefin e Inteligjencës serbe, i sanksionuar prej Amerikës që nga korriku i vitit 2023.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-ve për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviç, po ashtu u bë pjesë e qeverisë si ministër pa portofol.

Në fillim të këtij viti, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien u pyet për zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Serbi, të kritikuara prej faktorit ndërkombëtar. Ai tha se “sfida është se kush do të mund të premtojë rezultat për njerëzit në Serbi?” dhe përmendi rëndësinë e ruajtjes së demokracisë në rajon.

Forca politike në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) fitoi 46.72% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare e lokale, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.  Duke folur për këtë temë, O’Brien veçoi se Serbia është duke pasur performancë të mirë ekonomike në kohën e fundit dhe kjo sipas tij, nënkupton se ky vend do të ketë rritje ekonomike e do të tërheqë investime të reja në Serbi.

Nëse dëshirojmë që edhe shtetet tjera t’i kenë mundësitë e njëjta, atëherë do të duhet që ne të nxisim reforma, qoftë edhe me rrezikun e mungesës së stabilitetit, siç theksoi zyrtari i lartë amerikan.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65712 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE