Arratisje në Adriatik për vjeshtë, “The Independent” ju sugjeron Shqipërinë!
“A keni nevojë për pushime? Përfitoni nga rënia e çmimeve të shtatorit dhe bëni një udhëtim të përballueshëm përpara Krishtlindjeve!”. Sugjerimi vjen në shkrimin e Simon Calder-it në të përditshmen britanike “The Independent” e që vendin tonë e konsideron si opsionin ideal për një “arratisje në Mesdhe e Adriatik”. Kostot më të ulëta shërbejnë si një nxitje në këtë drejtim edhe në krahasim me të tjera destinacione të njohura turistike.
Udhëtimi për një javë në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë në muajin nëntor ofrohet me një kosto prej 160 eurosh për person. Çmimet kanë filluar që të bien gjatë muajit shtator, me paketat e pushimeve të disponueshme për 355 euro ose më pak.
Në vjeshtë e në fillim të dimrit, një arratisje në Mesdhe, Adriatik ose Atlantik do të ishte zgjedhja ideale. Një paketë gjithëpërfshirëse në Turqi është e disponueshme për vetëm 60 euro në ditë dhe një javë në bregdetin e Shqipërisë kushton 160 euro.
Ekspertët e udhëtimeve kanë zgjedhur Shqipërinë, Greqinë, Spanjën, Turqinë dhe Portugalinë – si destinacionet e duhura për të udhëtuar për pushime, paketat e të cilave përfshijnë fluturimin, transportin dhe akomodimin.
“The Independent” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura për të përfituar nga rënia e çmimeve të muajit shtator ku ndodhemi e për të bërë një udhëtim të përballueshëm nga ana ekonomike përpara periudhës festive të Krishtlindjeve.
Shqipëria
Shqipëria është një nga perlat e Europës, me plazhe të pacënuara e me bukuri natyrore. Për pushime të lira dimërore vizitoni Shqipërinë në nëntor. Fluturimet gjatë këtij muaji kushtojnë nga 36 euro duke u nisur nga aeroporti i Lutonit në kryeqytetin britanik Londër.
Bileta e një autobusi nga aeroporti i Tiranës për në qytetin bregdetar të Durrësit kushton 6 euro. Për pushime dimërore pranë Adriatikut, ju do të shpenzoni më pak se 24 euro në ditë ose 160 euro për person për një javë.