Begaj: Gerti Bogdani promovoi vlerat më të mira në politikë/Nesër homazhet!
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shprehu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve. Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në Bashkimin Europian.
Për shkak të ndarjes nga jeta të Bogdanit nga një arrest kardiak sot në moshën 44-vjeçare, seanca plenare e Kuvendit shtyhet për të premten pasi nesër do të zhvillohen homazhe në nderim të politikanit. Më herët, lajmi i hidhur çoi në ndërprerjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku po diskutohej çështja e mandatit të deputetit socialist, Vullnet Sinaj.
Gerti Bogdani lindi më 7 korrik 1980 në Tiranë, mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe “Medalje Ari”. Më tej vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me “Nderimet më të Larta” (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – “Medalje Ari”.
Ai ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë. Karrierën politike e filloi në vitin 2007, kohë kur kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi.
Gjatë kësaj kohe vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i Partisë Demokratike. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit dhe u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 2009-ta e në vijim, vazhdoi aktivitetin si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 u zgjodh zv.president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar 2012, nënkryetar. Në shtator të 2015-ës u zgjodh Kryetar i IYDU-së në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbante një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.