SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve sot do të votojë për buxhetin!
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Mike Johnson vendosi që sot të hedhë për votim një projektpropozim për zgjatje të përkohshme të buxhetit aktual, që synon të parandalojë një mbyllje të pjesshme të qeverisë. Buxheti i ri i qeverisë amerikane fillon më 1 tetor. Javën e kaluar, Johnson u detyrua ta tërheqë projektpropozimin nga shqyrtimi mes kundërshtive nga të dy krahët e politikës.
Republikanët e kanë kushtëzuar masën e re buxhetore me aprovimin e një legjislacioni që kërkon provën e shtetësisë për votuesit amerikanë. Siguria e votës është bërë një përparësi kryesore për republikanët këtë vit zgjedhor, duke aluduar mbi mundësinë e votimit nga ata që nuk janë shtetas amerikanë, pavarësisht se kjo është një vepër e paligjshme dhe se hulumtimet tregojnë se është një fenomen i rrallë.
U bëj thirrje kolegëve që të bëjnë atë që shumica dërrmuese e popullit të këtij vendi kërkon me të drejtë dhe meriton, të parandalojnë ata që nuk janë shtetas, të votojnë në zgjedhjet amerikane.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha për gazetarët se nuk ishte gati të diskutonte ndonjë plan alternativ për financimin e qeverisë përveç projektpropozimit që do të dalë para ligjvënësve sot.
Nuk do të zhvilloj bisedime për alternativa të tjera, ky është synimi. Do të punoj pa pushim që ky projektpropozim të miratohet.
Sidoqoftë, legjislacioni përballet me një të tatëpjetë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nuk ka asnjë shans në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Masa kundërshtohet nga shumica e demokratëve dhe disa republikanë, por për arsye të ndryshme.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha se mënyra e vetme për të parandaluar mbylljen e pjesshme të qeverisë ishte bashkëpunimi i palëve për të arritur një marrëveshje. Ai shtoi se votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, i njoftuar nga Johnson do të dështonte.
Masa do të lejonte financimin e përkohshëm të qeverisë në nivelin aktual ndërsa ligjvënësit anashkalojnë dallimet e tyre për të arritur një marrëveshje për një buxhet të plotë vjetor. Demokratët dhe disa republikanë kërkojnë një masë afatshkurtër buxhetore duke krijuar mundësinë për miratimin e një buxheti të plotë pas zgjedhjeve të nëntorit dhe nënshkrimin në ligj nga presidenti Biden.
Por, Johnson dhe disa nga anëtarët më konservatorë republikanë kërkojnë një zgjatje gjashtëmujore të buxhetit aktual, me shpresën se kandidati republikan Donald Trump do t’i fitojë zgjedhjet dhe do t’u japë atyre më shumë hapësirë për buxhetin vjetor.