Furtunë te policët rrugore të autostradave, vodhën mbi 2 mln lekë
AMP ekzekuton 22 masa sigurie për punonjës të Policisë, që dyshohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Në kuadër të operacionit të koduar “Targa e huaj”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ndaj 22 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”.
Nga hetimet disa mujore me metoda speciale nën drejtimin e AMP, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore i abuzimit të punonjësve të policisë së qarkullimin rrugor, në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e drejtuesve të mjeteve me targa të huaja.
Duke keqpërdorur aksesin në sistemet dhe databazat e Policisë së Shtetit, punonjësit e policisë në terren, konstatonin shkeljen, administronin shumën monetare duke i dhënë drejtuesit të mjetit procesverbalin përkatës dhe në vijim nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat administrative, në shumën prej 2.200.000 lekë.