Von der Leyen njofton hua 39 miliardë dollarë për rimëkëmbjen e Ukrainës!
Komisioni Evropian do t’i ndajë Ukrainës një hua të re në vlerë deri në 39 miliardë dollarë, siç njoftoi sot në Kiev presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen. Këtë hua, zyrtarja e lartë europiane e cilësoi si “një kontribut tjetër të madh të Bashkimit Europian për rimëkëmbjen e Ukrainës”.
Sulmet e pareshtura ruse nënkuptojnë se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, shkroi von der Leyen në rrjetin social X.
Duke folur në një konferencë për media me von der Leyen-in, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “plani për fitore” i vendit të tij në luftën kundër Rusisë varet nga vendimet e shpejta që aleatët duhet t’i marrin sivjet.
Zelensky vuri në dukje se Ukraina synon t’i përdorë këto të holla për mbrojtjen ajrore, energjinë dhe për blerjen e armëve.
Huaja është pjesë e një plani të gjerë të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) për grumbullimin e parave për ta mbështetur Kievin duke i përdorur mjetet nga asetet e ngrira financiare të Rusisë në vlerë 300 miliardë dollarë.
Këto asete u ngrinë në kuadër të sanksioneve kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës. Vizita e Von der Leyen-it në kryeqytetin ukrainas vjen një ditë pasi ajo njoftoi se BE-ja do t’ia japë Ukrainës edhe 178 milionë dollar për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar të energjisë, të zgjerojë energjinë e ripërtëritshme e të ndërtojë vendstrehime.
Para takimit me Zelensky-n, shefja e Komisionit Evropian tha se ndodhej në Kiev për të biseduar për mbështetjen e Europës për Ukrainën “nga përgatitjet për dimër deri te mbrojtja, anëtarësimi dhe përparimi drejt huave prej G7”-ës.
Në fillim të kësaj jave, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) paralajmëroi se ky dimër mund të jetë më i vështiri për Ukrainën deri tani sepse infrastruktura energjetike e saj është tejet e tendosur si pasojë e sulmeve ruse ndaj termocentraleve, si dhe rrjetit energjetik në tërësi.
Forcat ajrore ukrainase thanë sot se kundërajrorët e tyre kanë arritur të shkatërrojnë 61 prej 70 dronëve dhe një prej katër raketave me të cilat Moska e sulmoi Ukrainën gjatë natës.