Gjykata e Apelit dënon me 1 vit burg deputetin e PD, Ervin Salianji

vovalbania September 26, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Gjykata e Apelit dënon me 1 vit burg deputetin e PD, Ervin Salianji

Në Shqipëri, Gjykata e Apelit la sot në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Në audio përgjimin i cili u bë publik nga zoti Salianji në maj të vitit 2018, pretendohej se po zhvillohej një bisedë mes vëllait të zotit Xhafaj dhe një ish të dënuari në Itali për trafik droge, për ta ndihmuar këtë të fundit që të sigurojë një ngarkesë me marijuanë.

Çështja në atë kohë provokoi debate të forta politike, dhe opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e zotit Xhafa, ndërsa ky i fundit mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë vëllai i tij, i cili në fillim të viteve 2000 kishte patur një dënim për trafik droge në Itali.

Hetimet e prokurorisë në atë kohë, zbuluan se biseda rezultonte e inskenuar, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person.

Sipas prokurorisë zoti Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht zotin Fatmir Xhafaj, në atë kohë në detyrën e ministrit të Brendshëm”.

Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, zoti Salianji pritet t’i nënshtrohet procedurave për të nisur vuajtjen e dënimit, duke qenë se bëhet fjalë për një vendim të formës së prerë.

Kushtetuta parashikon se në një rast të tillë, mandati i një deputeti bëhet i pavlefshëm. Zoti Salianji po ashtu, do të humbasë mundësinë për të kandiduar dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pasi doli nga salla e gjyqit, deputeti demokrat foli për “një vendimarrje politike, një dënim politik, dënimin e parë pas 32 vitesh për agjitacion e propagandë. Unë kam bërë një shërbim të madh për interesin publik e do ta bëj në çdo formë e mënyrë, sido që të jetë.

Nuk kam bërë betejë për veten, për interesa personale, as për të vjedhur siç vjedhin këta, nuk kam bërë betejë për të vrarë apo për trafik droge, por kundër trafikantëve dhe maskarenjeve në këtë vend”, u shpreh ai.

Partia Demokratike mblodhi me urgjencë grupin e saj parlamentar dhe ka thirrur për më vonë po ashtu një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë, për të vendosur për mënyrat e reagimit ndaj “këtij sumi të paprecedentë që po i bëhet PD-së dhe grupit tonë parlamentar”, u shpreh kreu i grupit Gazmend Bardhi.

Ndërsa në një deklaratë, nën kryetari i Partisë Luçiano Boçi u shpreh se “Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt politik të shëmtuar të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij kundër Partisë Demokratike, opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri si dëshmi e terrorit të egër ndaj opozitës për Partinë Demokratike”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64239 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE