Çifti i njohur i showbizit i japin fund lidhjes pas 3 vitesh bashkë
Çifti i njohur Channing Tatum dhe Zoë Kravitz i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre trevjeçare, duke anuluar edhe fejesën.
Lajmi është konfirmuar nga disa burime për People, por asnjëri prej tyre nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare.
Tatum dhe Kravitz nisën të dilnin bashkë në 2021, pasi Tatum ishte aktor në filmin e parë të Kravitz si regjisore, “Blink Twice”.
Dyshja u fejua një vit më parë, por thuhet se së fundmi Kravitz është parë pa unazën e fejesës, përfshirë dhe një dalje të fundit me aktoren Shailene Woodley, kolegen e saj nga “Big Little Lies”.
Gjatë marrëdhënies së tyre, çifti u përpoq ta mbante lidhjen jashtë vëmendjes së publikut, duke bërë pak paraqitje të përbashkëta.
Në Met Gala 2021, ata mbërritën veçmas, por u larguan së bashku pas eventit. Me kalimin e kohës, ata nisën të flisnin për njëri-tjetrin edhe në intervista.
“Arti është gjuha jonë e dashurisë,” u shpreh Kravitz në premierën e “Blink Twice” kur e pyetën për mundësinë e bashkëpunimit me Tatum. “Mendoj se ky është pasioni që kemi, duam të flasim për të, ta përjetojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin.”
Nga ana e tij, Tatum gjithashtu foli për përzierjen e punës me dashurinë, duke theksuar se e rekomandon shumë.
“Ja çfarë do të them kur bëhet fjalë për të krijuar me dikë që e doni: E sugjeroj. Nëse po mendoni për të pasur një fëmijë ose për martesë, gjeni një projekt kreativ sa më të vështirë me partnerin tuaj,” u shpreh Tatum për People. “Kur mund të shikosh përtej dhomës ose setit dhe ta dish se ke personin më të mirë pranë teje, që po përpiqet të zgjidhë problemet njësoj si ti, është diçka e pabesueshme.”