Pirro Çako për takimin me Parashqevinë: “Mu mbushën sytë me lot. Kuptova që kishte humbur…”
Kompozitori i njohur, Pirro Çako ka ndarë emocionet e tij të veçanta nga një moment prekës, gjatë një interviste në emisionin “Wake Up”.
Çako rrëfeu për takimin e papritur virtual me ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku.
Ai tregoi se lajmi për një bisedë me video-call me këngëtaren legjendare e kishte zënë në befasi dhe kishte qenë një nga momentet më të sinqerta e të ngrohta për të.
“Aty ka shumë dashuri sepse ka sinqeritet. Unë nuk e dija që po filmohej ngjarja. Kam qenë i emocionuar, ka qenë një bisedë e gjatë. Mua më ra një telefon dhe më dhanë Parashqevinë. M’u mbushën sytë me lot,” rrëfeu Çako.
Gjatë bisedës, ai vuri re se Simaku, edhe pse kishte humbur kontaktin me realitetin e përditshëm të Shqipërisë, kishte ruajtur kujtime të gjalla dhe një memorie të jashtëzakonshme.
“Ajo, vetëm me sa kuptova, kishte humbur informimin me atë që ka ndodhur në realitetin e Shqipërisë. Ajo e kishte humbur këtë gjë. Memorien e kishte shumë të mirë. Më dha detajet e takimit që ka pasur me mua,” shtoi Çako.