Nikolla në takim me ambasadorin e BE: Po punojmë për forcimin e dialogut politik!
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot Ambasadorin e ri të BE, z. Silvio Gonzato. Kryetarja Nikolla dhe Ambasadori Gonzato diskutuan mbi arritjet dhe sfidat e integrimit europian të Shqipërisë, pas përfundimit të procesit të screening.
Kryetarja Nikolla i uroi Ambasadorit Gonzato suksese në misionin e tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se, nën lidershipin e tij, bashkëpunimi i Kuvendit me Delegacionin e BE-së në Tiranë dhe institucionet europiane do të vijë duke u rritur.
Znj. Nikolla vuri në dukje se “Kuvendi po punon për lehtësimin dhe forcimin e dialogut politik mes palëve, për të përballuar bashkarisht sfidat e integrimit europian, të aspekteve politike e teknike të procesit të negociatave. Bashkëpunimi mes grupeve parlamentare në Kuvend do të lehtësojë edhe avancimin dhe thellimin e reformave, modernizmin e procesit të ligjbërjes dhe rritjen e transparencës së veprimtarive parlamentare.”
Ambasadori Gonzato vlerësoi ecurinë shumë të mirë të procesit të screening dhe performancën e lartë të institucioneve shqiptare në bashkëpunimin me institucionet e BE-së.
Në bnjë njoftim të Kuvendit, kryetarja Nikolla dhe Ambasadori Gonzato diskutuan edhe për bashkëpunimin e Kuvendit me Parlamentin Europian dhe institucionet e BE-së për modernizimin e shërbimeve parlamentare, për të përballuar më mirë sfidat e Kuvendit për thellimin e reformave dhe procesin e integrimit europian.