Lufta në Ukrainë, viktima nga sulmet ruse të orëve të fundit!
“Nëntëdhjetë e tetë luftime ushtarake janë zhvilluar mes trupave ukrainase dhe ushtrisë pushtuese ruse gjatë 24 orëve të fundit”. Ky informacion theksohet në buletinin e përditësuar nga ushtria ukrainase e ku gjithashtu vihet në dukje se Rusia ka kryer disa sulme me raketa, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve.
Ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e popullatës civile, konfirmoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Por, në njoftimin e Shtabit nuk u dhanë më shumë detaje lidhur me viktimat. Po sipas Shtabit të Përgjithshëm, sulmet e rusëve u kryen ndaj pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe zonave të banuara.
Dronët Shahed të prodhimit iranian, si edhe raketat balistike Iskander u përdorën nga forcat e Moskës në këto sulme.
Një numër ndërtesash banimi, si edhe shkolla, çerdhe, qendra tregtare e të tjera objekte të infrastrukturës civile janë shkatërruar apo dëmtuar nga sulmet e fundit ruse, siç u bë e ditur në njoftimin e ushtrisë ukrainase.
Mbi 120 vendbanime janë sulmuar në rajonet e Çernihivit, Sumit, Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës, Dnipropetrovskit, Hersonit e Mikolajivit.
Po ashtu, ushtria ukrainase vuri në dukje se forcat e saj kanë zmbrapsur dhjetëra sulme ruse në tetë drejtime, përfshirë në Avdijivka, Bahmut, Marjinka e Kupjansk, në provincën lindore të Donjeckut.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, pra rreth dy vite më parë. Ukraina varet shumë nga ndihmat ushtarake që i japin partnerët e saj perëndimorë për të luftuar kundër forcave ruse.
Perëndimi i është përgjigjur me sanksione të ashpra ekonomike Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, të cilën presidenti rus Putin e quan “operacion special ushtarak për çmilitarizimin dhe denazistifikimin” e vendit fqinj. Mijëra ukrainas kanë humbur jetën e miliona të tjerë u detyruan të zhvendosen nga shtëpitë e tyre për t’iu shpëtuar sulmeve armike. Ndërkaq, bisedimet e paqes duken gjithnjë e më të largëta.