OKB-ja bën thirrje për vazhdimin e financimit të agjencisë së ndihmës në Gaza!
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë financimin e agjencisë kryesore që ofron ndihmë në Gaza, pasi dhjetëra punonjës të saj u akuzuan se kanë marrë pjesë në sulmin në Izrael që nxiti luftën katër muaj më parë. Më 7 tetor, Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën e fundit.
Mosmarrëveshjet lidhur me agjencinë kryesore që dërgon ndihmë për palestinezët vijnë në kohën kur zyrtarët amerikanë thanë se negociatorët janë afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi. Një marrëveshje e tillë do të mundësonte dy muaj ndalje të dhunës vdekjeprurëse mes izraelitëve dhe palestinezëve, që ka nxitur paqëndrueshmëri në mbarë Lindjen e Mesme.
Antonio Guterres paralajmëroi se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur me akronimin UNRWA, do të detyrohet të reduktojë ndihmën për mbi 2 milion palestinezë në shkurt. Enklava bregdetare është mbërthyer nga një krizë e rëndë humanitare, me çerekun e popullsisë që po përballet me uri.
Aktet e neveritshme të supozuara të anëtarëve të stafit duhet të kenë pasoja! Por, dhjetëra mijëra burra dhe gra që punojnë për UNRWA-në, shumica në situatat më të rrezikshme për punonjësit humanitarë, nuk duhet të penalizohen. Nevojat e mëdha të popullatës së dëshpëruar të cilëve iu shërbejnë, duhet të përmbushen!
Nga 12 punonjësit e akuzuar për pjesëmarrje në sulm, nëntë janë larguar nga puna menjëherë, një është konfirmuar i vdekur dhe identiteti i dy të tjerëve duhet të qartësohet. Të gjithë do të mbahen përgjegjës, duke përfshirë ndjekje penale.
UNRWA ka një staf prej 13 mijë personash në Gaza, pothuajse të gjithë palestinezë. Kjo agjenci ofron shërbimet bazike, nga kujdesi shëndetësor e deri tek edukimi për familjet palestineze të larguara nga ai që është Izraeli i sotëm gjatë luftës së vitit 1948, rreth periudhës kur u krijua Izraeli. Kjo agjenci ka zgjeruar operacionet gjatë luftës, duke vendosur vende ku po strehohen qindra mijëra persona të zhvendosur.
Mbi 2 milion nga 2.3 milion banorë të territorit varen “për mbijetesë” nga agjencia, përfshirë furnizimet ushqimore e strehimin, tha drejtori i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, duke paralajmëruar se kjo ndihmë “mund të zhduket në çdo kohë”.
Amerika, donatorja më e madhe e agjencisë, menjëherë pezulloi ndihmën gjatë fundjavës dhe po kështu vepruan edhe shtete të tjera si Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia.