Gjykata Kushtetuese shpall vendimin për Skavicën!

vovalbania January 30, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin për Skavicën!

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot disa vendime lidhur me Hidrocentaralin e Skavicës, që pritet të ndërtohet në Dibër.

Kushtetuesja pas kërkesave të shoqatave të shumta vendosi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Pra sipas Gjykatës, nuk mund të ketë shfuqizim të vendimmarrjeve, pasi nuk jemi ende në fazën e ndërtimit.

Po ashtu Gjykata legjitimoi kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për lirinë ekonomike.

Ndërsa kërkesa e dy shoqatave nuk u legjitimua sepse sipas Gjykatës, nuk kanë interes kushtetues.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 12.12.2023 dhe 10.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues: shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, shoqata “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se:

Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ.

Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.

Në lidhje me themelin, gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus.

Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,

Vendosi:

1)            Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.

2)            Urdhërimin e  autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e  konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.

3)            Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65820 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE