Gjermania “godet” Iranin: Vështirë të arrijmë marrëveshje me të!
Zhgënjimi tashmë në perëndim shfaqet hapur hapur: kancelari gjerman Olaf Scholz e shprehu publikisht keqardhjen që Irani nuk është pajtuar me propozimet e shteteve europiane për ripërtëritjen e marrëveshjes bërthamore.
Për shefin ekzekutivit në Berlin, një refuzim i tillë i minimizon ndjeshëm gjasat e vulosjes se një ujdie “në të ardhmen e afërt”.
“Më vjen keq që Irani nuk ka dhënë përgjigje pozitive për propozimet e bëra nga koordinatorët europianë. Normalisht, nuk ka arsye që ai të mos pajtohet me këto propozime. Ne jemi dakord me Izraelin se Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore”, tha Scholz.
Gjermania është një prej tre shteteve evropiane, bashkë me Francën dhe Britaninë, që kanë nënshkruar marrëveshjen nukleare me republikën islamike. Veç tyre, paktin e kane firmosur edhe Kina, Rusia, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Komeve të Bashkuara, plus Bashkimi Europian.
Sipas marrëveshjes së 2015-s, Teherani ishte i detyruar të kufizonte aktivitetin e tij atomik në këmbim të heqjes së sanksioneve. Në 2018-tën, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe riktheu sanksione gjunjëzuese ndaj Iranit.
Me marrjen e presidencës nga Joe Biden, u ringjallën shpresat e një rivitalizimi të ujdisë e për këtë qëllim, palët kanë mbajtur disa raunde takimesh në Vjenë, por ende nuk kane rene dakord mbi një tekst final.