Nga ëndrra në sirtar deri tek bashkëpunimi artistik me Eugent Bushpepën, Kamela Islamaj zbulon gjithçka për TAR!
Për një periudhë kohe ata kanë qenë të famshëm e shumë të dashur nga publiku por kanë zgjedhur të tërhiqen nga karriera e tyre apo edhe daljet në ekran. E ftuar në episodin e gjashtë të podcast-it “Ku Ke Kumbur” me Jonida Aliçkollin ka qenë Kamela Islamaj, një intervistë që ka rikthyer këngëtaren pranë dashamirësve të saj.
A ka qenë e rastësishme pjesëmarrja e saj në emisione televizive apo thjesht ishte momenti i saj?
Për “Ethet” ka insistuar babi im pafund dhe unë nuk kam qenë dakord të merrja pjesë tek “Ethet”, sepse siç të thashë unë nuk e mendoja kurrë veten time se do të isha një këngëtare. Qëkur unë isha e vogël e imagjinoja veten që do të isha në skenë duke luajtur piano si pianiste, koncertiste. Kështu që as e konceptoja ndonjëherë që unë do të kisha një pianist që do të më shoqëronte mua. Madje e mbaj mend si tani që kur më ka pyetur Adi Krasta tek “Ethet” që kush është ëndrra jote, unë i kam thënë që ëndrra ime është koncerti im recital ku të luaj në piano dhe të këndoj. Që ndoshta do të bëhet realitet më vonë…
Pra, ka qenë babi që ka insistuar të merrja pjesë, unë e kam bërë me zor. Por edhe “Top Show”, pavarësisht se unë kisha shumë vite që kam qenë disa herë pjesë e Top Media dhe si e ftuar, ka qenë Alban Dudushi që më ka dlgjuar në një nga lokalet e Tiranës që më dëgjoi dhe më pas më propozoi si këngëtare aty.
Më pas, edhe Eugent Bushpepa u bë pjesë e atij emsioni, ku u formua një grup i pandashëm. Ja si shprehet ajo për marrëdhëniet sot midis tyre:
Kemi bërë një koncert me Gentin përpara një viti në jug të Shqipërisë edhe njerëzit ishin akoma nostalgjik. Gjatë gjithë kohës na kërkonin këto këngët që kemi pas kënduar në “Top Show”. Duke qenë se Genti u shkëput pak më përpara dhe unë pak më vonë, u bë kohë që nuk jemi “çifti artistik” në skenë. Kështu që është shumë e bukur kur njerëzit mbajnë mend këngët e caktuara që ne të dy i këndonim.