Një ditë pas tragjedisë në Lushnjë me 2 viktima e 7 të plagosur, banorët e krahasojnë me tërmet!
Të tronditur nga shpërthimi i një bombole oksigjeni që dje shkaktoi dy viktima dhe 7 të plagosur, mes tyre deputeti socialist Bujar Çela, banorë të zonës pranë vendit të tragjedisë në Lushnjë, rrëfejnë momentet e tmerrit. Ata kërkojnë ndihmën e shtetit për t’u dëmshpërblyer. Një e moshuar tregon:
Ne do të lanim fëmijën e vogël që na lindi nusja. U futën në kuzhinë ta lanin. Unë dhe plaku shkuam në dhomën time që të mbështeteshim sa të lahej fëmija dhe më pas do të shkonim të ngroheshim. Kur u dha një shkundje, ndjemë një si tërmet. Ne, Allah Allah dhe dolëm përjashta. Kur dolëm përjashta, tymi i zi na mbuloi. Nuk dinim nga të shkonim. Nusja e vogël u tremb, u bë dyll e verdhë.
Nuk kemi ngrënë bukë, kemi që dje në drekë. Na dridhet trupi dhe as gjumi nuk na zë. 30 vjet çuni në Greqi, e ka ndërtuar këtë shtëpi me mund e me djersë. Mbaroi ndërtesën dhe ka hyrë në kredi… Çfarë të të thotë nëna… Ai na thoshte të kursejmë nga pak sepse ne kemi kredi, çfarë të mbanim ne nga pensioni. Këto ka nëna. Shteti të na ndihmojë, ajo bombola na plasi si tërmet.
Viktima mbetën Roland dhe i biri, Lidio Hoxha, të cilët ishin duke punuar në vinç për të ngjitur lart dy bombola oksigjeni, për të kryer saldime në pjesën e tarracës së magazinës që po ndërtohej nga deputeti Çela. Dyshohet se njëra prej bombolave u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka në zonën përreth. Për Roland e Lidio Hoxhën, dje ishte dita e parë e punës dhe fatkeqësisht, e fundit e jetës së tyre.
Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv dhe që kalonin sipër magazinës. Ndërkaq, të shtatë të lënduarit janë jashtë rreziku për jetën, mes tyre edhe deputeti Çela e një 41-vjeçar që iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ata u transportuan me urgjencë.
Për të kryer hetime, në vendin e ngjarjes shkuan një prokuror nga Prokuroria e Fierit, ekspertë nga Njësia Antieksploziv, si edhe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit e nga Inspektoriati Shtetëror i Punës.