Ukraina njofton: Në sulmin me dron kemi fundosur një tjetër luftanije ruse!
Ukraina njoftonte sot se ka fundosur një luftanije ruse në Detin e Zi pas një sulmi me dronë të teknologjisë së lartë, teksa Kievi po godet shumë prapa linjave të para të frontit rus.
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se njësia e operacioneve speciale ka shkatërruar luftanijen patrulluese Sergey Kotov mëngjesin e sotëm, duke përdorur dronët detarë Magura V5, të dizenjuar dhe prodhuar në Ukrainë.
Ata shtonin se anija u godit në ngushticën Kerch pranë Krimesë, teksa shtonin se luftanija mund të pajiset me raketa dhe mban rreth 60 persona si ekuipazh.
Rusia nuk ka komentuar mbi ngjarjen dhe as mediat perëndimore nuk mund të verifikonin informacionin në mënyrë të pavarur, shkruan e përditshmja The Independent.
Lufta e informacioni e dezinformacionit ka qenë shpesh një pikë përplasjeve mes dy fronteve, përveç gjakderdhjes në terren.
Ushtria e Kievit po përpiqet të mbajë larg kufirit ushtrinë ruse në disa pika të kufirit 1,500-kilometra mes dy vendeve por shpesh ka goditur objektiva përtej fushëbetejës.
Edhe muajin e kaluar Ukraina ka fundosur luftanije ruse me anë të dronëve ujorë të sulmit. Më 1 shkurt pretendohej të ishte fundosur korveta e armatosur ruse Ivanovet, dhe më 14 shkurt ka njoftuar se është shkatërruar luftanija zbarkuese Caesar Kunikov.
Rusia nuk ka konfirmuar asnjë nga pretendimet.
Rreth një vit më parë është goditur dhe fundosur luftanija gjigante ruse Moskva në një sulm të kombinuar me raketa.
Moskva, një anije 12,000-tonëshe e modifikuar në një lëshuese raketore, ishte ndërtuar në kantieret ruse në epokën sovjetike.