Peticionet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës/ Verifikohen firmat, caktohet data e votimit!
Verifikohen nënshkrimet e peticioneve të qytetarëve serbë për largimin e kryetarëve të komunave në veri.
Me datë 21 prill 2024 do të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit, sipas sekretariatit të KQZ.
Ky do të jetë votimi në pyetjen ‘a doni të shkarkoni kryetarin?’, për të cilin duhen 50% + 1 votues.
“Ju konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së u prezantua raporti lidhur me procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura nga katër grupet nismëtare në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe të dorëzuara në KQZ nga kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave.
Pas procesit të verifikimit, që përfshinë vërtetimin nëse personat e nënshkruar në peticionin e organizuar në komunat përkatëse janë votues të atyre komunave, KQZ njofton si në vijim:
– Nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3,030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 2,905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 13,441 votues, ndërsa 2,689 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.
– Nga peticioni i organizuar në komunën e Zubin Potokut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 6,732 votues, ndërsa 1,347 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.
– Nga peticioni i organizuar në komunën e Zveçanit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,834 nënshkrime të plotësuara në 185 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 7,052 votues, ndërsa 1,411 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë.
– Nga peticioni i organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 4,148 nënshkrime të plotësuara në 423 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 3,653 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 18,199 votues, ndërsa 3,640 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, sipas njoftimit.