Evropa dyfishon importin e armëve, SHBA-të rrisin eksportin!
Në Evropë, shtetet pothuajse kanë dyfishuar importet e tyre të armëve kryesore në mes viteve 2014-2018 dhe 2019-2023. Sa u përket eksporteve, prijnë Shtetet e Bashkuara dhe Franca ndërsa eksportet e Rusisë kanë shënuar rënie. Kështu thuhet në raportin e publikuar sot të Institutit Ndërkombëtar për Kërkim të Paqes (SIPRI).
Sipas dokumentit, SHBA-të kanë rritur eksportet e armëve me 17% mes viteve 2014-2018 e 2019-2023. SIPRI deklaroi se “për herë të parë, Rusia është eksportuesja e tretë më e madhe e armëve, pas Francës”.
Rreth 55% e armëve të importuara nga shtetet evropiane në periudhën 2019-2023 ishin nga Shtetet e Bashkuara, shifër shumë më e lartë krahasuar me 35% që ishte në vitet 2014-2018. Drejtori i SIPRI-t, Dan Smith:
Mbi gjysma e importeve të armëve nga shtetet evropiane vjen nga Amerika. Ndërkaq, në të njëjtën kohë, Evropa është përgjegjëse për pothuajse një të tretën e eksporteve botërore të armëve, përfshirë volume të mëdha që shkojnë jashtë rajonit, që reflektojnë aftësinë e fortë të industrisë ushtarake të Evropës.
Shumë faktorë formësojnë vendimet e shteteve evropiane të NATO-s që të importojnë nga SHBA-të. Në veçanti është qëllimi për të mbajtur raportet transatlantike krahas çështjeve më taktike, ushtarake dhe atyre që lidhen me koston. Nëse raportet transatlantike ndryshojnë në vitet në vijim, politikat evropiane për blerjen e armëve po ashtu mund të modifikohen.
Eksportet e armëve
Në raport thuhet edhe se Amerika përjetoi një rritje prej 17% të eksporteve mes viteve 2014-2018 e 2019-2023. Pjesa e saj në totalin global të eksporteve të armëve u rrit nga 34 në 42%.
Nga viti 2019 deri më 2023-shin, SHBA-të kanë eksportuar armë kryesore në 107 shtete të botës apo më shumë se në çdo 5-vjeçar paraprak dhe se çdo eksportues i armëve. SHBA-të dhe shtetet e Evropës Perëndimore së bashku përbëjnë 72% të të gjitha armëve të eksportuara në këtë periudhë, nga 62% sa ishte në vitet 2014-2018.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur rolin e tyre si furnizuese të armëve, aspekt i rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane duke eksportuar më tepër armë në më shumë shtete sesa ka bërë ndonjëherë.
Kjo u deklarua nga Mathew George, drejtor në Programin për Blerjet e Armëve në SIPRI.
Kjo po ndodh në një kohë kur dominanca ekonomike dhe gjeopolitike e SHBA-ve është sfiduar nga fuqi që po dalin në sipërfaqe.