“Napoleon” për atdhéun, ushtrinë dhe dashurinë, mbi të gjitha dashurinë. Kritikë.
Çdo shekull ka figurën e tij kyçe. Shumë mendojnë se Napoleon Bonaparte ështe figura kryesore e shekullit të 18. Lindur në një familje me origjinë italine në Korsikë, Napoleoni ngjiti shpejt shkallët në rradhët e ushtrisë që hodhi poshtë monarkinë në Francën e fundviteve 1700. Mbas fitoreve të një-pas-njëshme, i kthyeri në Gjeneral, erdhi në pushtet mbas një grushti shteti duke u shpallur Perandor i Francës.
Në 1927 regjisori Abel Gance do të sillte në ekranin e madh një film pa zë i cili konsiderohet edhe sot një nga biografitë kinematografike më të realizuara – “Napoléon vu par Abel Gance”, një prodhim tejet ambicioz për kohën i cili zgjat mbi pesë orë. Përgjatë 100 viteve që do të pasonin dhjetra prodhime filmike me në qëndër këtë figurë historike, ku mund të përmend filmin e Henry Koster – “Désirée” (1954) ku Napoleoni luhet nga legjenda e aktrimit Marlon Brando. Më vonë në 1970, Sergei Bondarchuk do të xhironte Rod Steiger si Napoleon.
Jo më pak tërheqës është edhe interpretimi i Joaquin Phoenix në filmin e Ridley Scott prodhuar nga Apple në 2023. Përkundrazi! Scott si shumë krijues të tjerë janë munduar të ndjekin Napoleonin në luftërat e tij për veten, dashurinë e atdheun dhe jo të gjithë ja kanë dalë. Ai sidoqoftë bën një punë të shkëlqyer për ta kthyer këte epik në një hit të menjëhershëm duke gjetur balancën e duhur mes aksionit në luftë si edhe botën shpirtërore të prijësit. Bashkë me David Scarpa, Ridley Scott ka qënë i kujdesshëm në përzgjedhjen e asaj që duhet të përfshinte nga historia dhe karakteri kompleks i kolosit historik duke lënë jashtë pershembull poshtërimin e Luigjit të XVI, apo rikthimin e skallërisë prej Bonapartit në kolonitë franceze të kohës; po ashtu ka shtuar dramaturgjikisht momente që në fakt nuk kanë ndodhur, si prania e Napoleonit në ekzekutimin me prerje koke të Maria Antonietës; sepse fundja ky nuk është një dokumentar dhe historinë duhet ta mësojmë nga historianët jo nga film-bërësit. E meqë ra fjala, jo Hitleri nuk ka vdekur në një kinema, Tarantino ka tallur tarantilën.
Natyrshmëria e Phoenix në pasqyrimin e pasionit, mençurisë e melankolisë së Napoleonit gërshetohet ëmbël me portretizimin që Vanessa Kirby i bën dashurisë së tij të madhe – Xhosefinës – letrat e dashurisë së tij për të janë botërisht të famshme, e mbahen si shtamba të deklarimit të dashurisë sublime ndaj dikujt. Nga të gjitha interpretimet e perandorit, ai i Phoenix është më i ploti, për shkak të zotësisë së këtij të fundit për të treguar pa shumë lodhje të gjithë larushinë emocionale të personazheve me kaq shumë faqe.
Një nga skenat e para të luftës është sulmi i anijeve britanike në 1793 atëhere kur Napoleoni i ri çimentoi veten si një prijës i një natyre tjetër, një llogaritës i jashtëzakonshëm dhe një ushtar luftarak. Në pak minuta kuptojmë zellin e protagonistit për të zbythur anglezët që i urrente për vdekje, po aq sa ambicien e tij për të udhëhequr. Mjeshtëria regjisoriale e Scott vetëm sa është sofistikuar me kalimin e viteve. Regjisori, filmi më i famshëm i të cilit është ‘Gladiatori’ (2000) (ky Phoenix luan Commodus), e njeh mirë kalin e tij të betejës – e di si të përkthejë skenat e komplikuara të luftës po aq sa ato të intimitetit, momentet e lëngimit si edhe ato të komedisë – skena e grushtit të shtetit është realisht komike.
Napoleoni është një simbol që kalon kufijtë e shtetit për të cilin luftoi, një ikonë gjithherë tërheqëse; që kur Tolstoy shkroi “Lufta dhe Paqja”. Stanley Kubrick dikur do të xhironte një film për të, nuk e beri kurrë, i frikësuar nga përmasat e asaj që Napoleoni përfaqësonte. Një figurë e adhuruar nga Hitleri, e përdorur nga Rusia për ri-ngritjen e saj heroike. Por Scott nuk merret aq me kuptimet e thella, metaforat e një figure e cila asnjëherë nuk do të kuptohet dot e tëra; duke përdorur Phoenix ai arrin të sjellë një rrëfenjë vizuale argëtuese, përthithëse, rrënqethëse që të lë një shije të qartë të asaj se çfarë do duhet të jetë njeriu…
Edhe mund të jetë tepër vonë, kur e ke kuptuar!