Si të parandaloni zakonin e thithjes së gishtave te foshnja juaj…
Prindërit nuk duhet të alarmohen nëse fëmija e tyre thith gishtin e madh të dorës apo ndonjë gisht tjetër. Megjithatë nëse sjellja është e tepruar, mund të shkaktojë probleme dentare të pakthyeshme. Kjo sjellje duket të jetë më e hasur te vajzat sesa te djemtë. Ky shqetësim mund të nisë të bëhet problem për fëmijën pas moshës 6 vjeç.
Kjo sjellje është shumë e zakonshme. Thithja është një aktivitet jetësor për foshnjën, ajo nis si një refleks mbijetese dhe jep mundësi zbulimi dhe kënaqësie. Për këtë fakt shumë ekspertë mendojnë se thithja e gishtit mund të jetë një regresion në kënaqësinë orale të stadit oral kur personi vendoset në një tension, stres apo situatë tjetër të papëlqyeshme.
Thithja e gishtit mund të lidhet me eksitimin, urinë, ankthin, mërzinë, vetminë, trishtimin ose depresionin. Metodat që përdoren për ta vendosur një fëmijë në gjumë, mund të ndikojnë në zhvillimin e këtij zakoni. Studimet tregojnë se koha e pakët e dhënies së gjirit apo dhe lënia vonë e tij mund të ndikojnë në këtë sjellje duke e nxitur atë. Nëse sjellja vazhdon mbi moshën 6-7 vjeç, problemet dentare nuk do të vonojnë të shfaqen. Gjithashtu edhe psikologjikisht një qëndrim negativ prindëror mund të çojë në probleme edhe më të mëdha.
Mendohet se fëmijës mund t’i ofrohet diçka më e mirë se thithja e gishtit, që të mos jetë e dëmshme. Përdorimi i një biberoni është më i mirë se lyerja e gishtit me substancë djegëse. Një tjetër alternativë do të ishte edhe zënia e duarve të fëmijës me lodra ose aktivitete të tjera për ta shpërqendruar atë. Mënyra si reagon prindi ndaj këtij zakoni është shumë e rëndësishme dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë ose jo në qëndrimin e fëmijës ndaj kësaj sjelljeje. Nëse fëmijës i bërtitet vazhdimisht për këtë gjë, kjo mund të ketë efekte negative, pasi mund të trondisë besimin e fëmijës dhe ta bëjë atë të pasigurtë për afeksionin prindëror.