Drejtuesit e shtetit urojnë Ditën e Verës!

vovalbania March 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Drejtuesit e shtetit urojnë Ditën e Verës!

Drejtuesit më të lartë të vendit urojnë Ditën e Verës. “Mbarësi, begati dhe gëzim sjelltë kjo festë në çdo shtëpi shqiptare”, shkruan presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Në fëmijërinë time, 14 Marsi niste me të vegjlit që shpërndanin në çdo shtëpi një plis me grurë të sapombirë, degë ulliri dhe degë lule kumbulle. Kjo bëhej për të uruar një pranverë të begatë, të paqtë dhe të gëzuar. Mbarësi, begati dhe gëzim sjelltë kjo festë në çdo shtëpi shqiptare.

Në një postim nē rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shprehet se kjo ditë paralajmëron më shumë diell e mbarësi.

Ndër të tjerë, urimeve drejtuar shqiptarëve për Ditën e Verës i është bashkuar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, selia diplomatike e Uashingtonit thekson se “sot festojmë një festë shqiptare që simbolizon ardhjen e pranverës dhe ripërtëritjen e natyrës”.

Ekipi ynë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ju uron të gjithëve një stinë të mbushur me gëzim, shëndet të mirë dhe diell!

E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, Dita e Verës festohet sot si një pjesë e traditës jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet.

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballokumeve.

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE