“Reuters”: Për planet e aneksimit të Ukrainës, Putin refuzoi marrëveshjen e paqes me Kievin!
“Me fillimin e luftës, i dërguari kryesor i Vladimir Putinit për Ukrainën njoftoi udhëheqësin rus se ai kishte arritur një marrëveshje paraprake me Kievin që plotësonte kërkesën e Rusisë, që Ukraina të mos bëhej anëtare e NATO-s. Por, Putin e refuzoi marrëveshjen dhe vazhdoi me fushatën e tij ushtarake”, – thanë tre persona të afërt me udhëheqjen ruse, të cilët kërkuan të mos identifikohen.
Sipas të njëjtave burime, i dërguari me origjinë ukrainase, Dmitry Kozak, i tha Putinit se ai besonte se marrëveshja që kishte arritur, e shmangte nevojën që Rusia të vijonte me një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Rekomandimi i Kozakut drejtuar Putinit u njoftua për herë të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
Para fillimit të luftës, Putin kishte thënë vazhdimisht se “NATO dhe infrastruktura e saj ushtarake po i afroheshin gjithnjë e më shumë kufijve rus”, duke pranuar anëtarë të rinj nga Europa Lindore dhe se sipas tij “Aleanca po përgatitej të sillte në orbitën e saj edhe Ukrainën”. Presidenti rus e quajti publikisht këtë një kërcënim për sigurinë e vendit, çka sipas tij e detyroi të reagonte.
“Megjithëse i mbështeti fillimisht negociatat, Putin e bëri të qartë kur iu prezantua marrëveshja nga ana e Kozakut, se ajo çka ishte negociuar nga ndihmësi i tij, nuk shkonte aq larg sa duhet dhe se ai i kishte zgjeruar objektivat, duke përfshirë në to edhe aneksimin e një pjese të madhe të territorit ukrainas”, – thanë të njëjtat burime. Si rezultat marrëveshja u hodh poshtë.
I pyetur në lidhje me gjetjet e agjencisë “Reuters”, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha:
Kjo nuk ka absolutisht asnjë lidhje me realitetin. Nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë. Eshtë një informacion tërësisht i pasaktë.
Kozak nuk iu përgjigj kërkesave për koment, të dërguara përmes Kremlinit. Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, tha se “Rusia i kishte përdorur negociatat si mburojë, për t’u përgatitur për sulmin e saj”, por ai nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me thelbin e bisedimeve dhe as nuk konfirmoi nëse ishte arritur një marrëveshje paraprake.
Sot ne e kuptojmë qartë se pala ruse nuk ka qenë kurrë e interesuar për një zgjidhje paqësore.
Dy nga tre burimet thanë se një shtytje për të finalizuar marrëveshjen ndodhi menjëherë pas sulmit të Rusisë më 24 shkurt. Sipas tyre, brenda disa ditësh, Kozak besonte se kishte arritur të binte dakord me Ukrainën, për kushtet kryesore të vendosura nga Rusia, ndaj i rekomandoi Putinit nënshkrimin e marrëveshjes.
Pas 24 shkurtit, Kozakut iu dha drita jeshile dhe arriti të siguronte një marrëveshje. Ai e solli, por iu tha ta hidhte poshtë. Gjithçka u anulua. Putini thjesht ndryshoi planin, duke ecur përpara me sulmin. Burimi i tretë, i vënë në dijeni mbi ngjarjet nga persona që ishin informuar mbi diskutimet Kozak-Putin, foli për një tjetër periudhë, se kur iu ofrua marrëveshja presidentit rus. Ai tha se Kozak e kishte njoftuar Putinin mbi marrëveshjen paraprake, pak përpara sulmit.
Një tjetër person, i intervistuar nga “Reuters”, i cili ndihmoi me bisedimet pas sulmit në Ukrainë, tha se “negociatat u prishën në fillim të muajit mars, kur zyrtarët ukrainas e kuptuan se Putin, ishte i bindur për të ecur përpara me sulmin në shkallë të gjerë”.