Kreu i SPAK-ut, Dumani: Më 2023-shin regjistruam kallëzime sa për tre vjet!

vovalbania March 15, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Kreu i SPAK-ut, Dumani: Më 2023-shin regjistruam kallëzime sa për tre vjet!

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion listoi disa prej sfidave me të cilat po përballet institucioni që drejton.  Sot gjatë një takimi të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Altin Dumani theksoi se vetëm vitin e kaluar janë regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku. Ishte në këtë takim që Dumani bëri deklaratën e fortë se “krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori”.

Falëminderit për ftesën dhe organizimin e këtij takimi! Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë.

Që në fillim nuk do pajtohesha me ju kur thoni ka bërë histori. Nuk ka bërë gjë tjetër veçse të përmbushë detyrimet kushtetuese, si ndaj korrupsionit, ashtu dhe krimit të organizuar. Pavarësisht se kemi hyrë në vitin e pestë duhet vlerësuar veprimtaria, që do të thotë të bëjë hetime, ngrejë akuza ndaj çdo zyrtari, pavarësisht pushtetit dhe lidhjeve. Por, gjatë katër viteve, SPAK-u ka treguar se ne jemi vetëm në fillimet e punës sonë.

Shpresojmë që gjykatat të japin vendime fajësie për akuza të ngarkuara nga ana jonë. Patjetër, ne kemi rezultate të suksesshme dhe ky është synimi ynë. Për pesë vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Eshtë e vështirë, por jo e pamundur, por qoftë edhe këto rezultate na stimulojnë e na nxisin që të punojmë akoma më shumë.

Por, gjithmonë që të kemi akuza të suksesshme, pra me vendime fajësie. Kemi disa gjykata që na kontrollojnë përfshirë dhe Kushtetuesen e deri në Strasburg. Në punën tonë si institucion kemi edhe ne problematikat, vështirësitë tona, që së pari lidhen me paqartësinë e statusit të Prokurorisë së Posaçme. Ju e dini që mandati është nëntë vjet dhe pas kësaj nuk dihet ku do të shkojë.

Mendoj që kjo është e padrejtë sepse prokurori duhet të shkojë atje ku ka qenë dhe nga maja e karrierës, ta dërgosh prokurorin e Posaçëm në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm në Shkodër apo nga vijnë kolegët e nderuar, shkakton mungesën e sigurisë.

Dëmi më i madh është institucional. Eshtë shumë e vështirë që të mbushësh vakumin. Për më tepër, janë nëntë prokurorë që ikin njëherazi dhe kjo situatë nuk është zgjidhur, shpresojmë të zgjidhet! Kemi mungesë të këshilltarëve ligjorë sepse prokurorët e SPAK-ut përfaqësojnë akuzën në të tri shkallët e gjykimit.

Tjetër problematikë është vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm. Drejtuesi i SPAK-ut merr dhe përfaqëson në KPA gjithë barrën për vetting-un.

Ka një rënie prej 40% të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet, zero kallëzime dhe doganat, zero. A ka apo jo korrupsion aty? Vetëm KLSH-ja, herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, Policia e Shtetit, patjetër që po. Por, detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin.

Gjatë 2023-shit kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite së bashku. Duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve në media, kryejmë verifikimet tona. Nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media, ne kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe iu përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurimet.

Por, ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë.

Tjetra, kompetencat për të shqyrtuar ekzekutimet penale të të dënuarve duhet t’i kalojnë Gjykatës së Posaçme. Pa dashur të paragjykoj kolegët, por ata që dënohen nga ne, nuk mund të trajtohen me një lehtësi sikur kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Flitet t’i shqyrtojë Gjykata e Posaçme dhe këtu kam parasysh lirimin e një ish-funksionari nga një gjykatë tjetër, që ndodhi para kohe.

Ne e vlerësojmë median si partnere të rëndësishme. Jemi të kujdesshëm ndaj atyre çështjeve që quhen “skandale”. Shumë hetime kanë marrë shkas nga mediat. Duhet të kemi parasysh që në realitetin shqiptar, media nuk është imune nga krimi i organizuar. Detyrimi i SPAK-ut është që edhe për gazetarët që mund të abuzojnë me detyrën, të bëhen verifikimet. Ne e kemi detyrim ligjor për të kontribuar në mbrojtjen e sigurisë publike dhe kombëtare. Patjetër, në respektim të ligjit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65810 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE