Alibeaj për Rithemelimin: Po ngushtojnë komisionet hetimore, bëjnë pazar me hetimin për dializën dhe laboratorët!
Sekretari i përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj deklaron se Rithemelimi dhe PS, jo vetëm që po sakrifikojnë Reformën Zgjedhore, por sipas tij, po ngushtojnë dhe objektin e hetimit parlamentar të koncesioneve të shëndetësisë.
Në një reagim të bërë në Facebook, Alibeaj shkruan se selektimi për hetim vetëm i sterilizimit dhe check-up-it dhe lënia jashtë hetimit i dializës dhe laboratorëve, sipas tij është pazar.
Ai shton se “arsyet e vërteta i dinë ata që para 6 muajsh e nisën kërkesën për të hetuar 4 koncesione, e sot bëhen gati të votojnë vetëm për 2”.
“Meqë dita e marrëveshjes “së madhe” filloi paradite me sakrifikimin e reformës zgjedhore, ja edhe efekti tjetër që po gatuhet (ende pa mbaruar dita). Ngushtimi i objektit të hetimit të komisionit parlamentar të koncensioneve të shëndetësisë, nga 4 në 2 është pazari i radhës mes Foltores dhe Ramës.
Të katër koncensionet në shëndetësi, ai i dializës, check up-it, pajisjeve të laboratorëve dhe sterilizimit janë abuzive dhe dëmtojnë interesat e qytetarëve.
Selektimi për hetim vetëm i sterilizimit dhe check-up-it (SPAK ndërkohë e mbaroi hetimin e tyre) dhe lënia jashtë hetimit i dializës dhe laboratorëve, është pazar dhe arsyet e vërteta i dinë ata që para 6 muajsh e nisën kërkesën për të hetuar 4 koncencione, e sot bëhen gati të votojnë vetëm për 2.
Bojkotuan muaj të tërë parlamentin, ndezën revolucionin me tymuese duke u shitur për interesat e oligarkut të radhës. E megjithatë të vërtetën nuk e fshehin dot sado te mundohen!”, shkruan ai.
Parlamenti po diskuton në këto momente ngritjen e dy komisioneve hetimore që ka kërkuar me ngulm opozita.
Komisioni i parë hetimor është ai për koncesionet ne shëndetësi i cili do të kryesohet nga Albana Vokshi e Rithemelimit dhe Plarent Ndreca nënkryetar nga socialistët. Ndërkohë do të ngrihet edhe komisioni hetimor për ndërhyrje në sistemin TIMS, i kryesuar nga Ervin Salianji dhe Toni Gogu nënkryetar. Por ndryshe nga kërkesa e para gjashtë muajve prej opozitës për hetimin e katër koncesioneve në shëndetësi, kërkesa e Rithemelimit ka ndryshuar dhe do të hetohen vetëm dy koncesione, ai i check up dhe i sterilizimit, i hetuar nga SPAK dhe ku është marrë i pandehur ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Nuk është bërë e qartë pse kanë shpëtuar nga hetimi dy koncesionet e shërbimit të dializës dhe laboratorëve që të dy bashkë iu kushtojnë shqiptarëve 28 milionë euro në vit nga taksat e tyre.
Të dy këto koncesione janë gjetur me shkelje nga KLSH dhe të lidhura me Klodian Allajbeun, Spitali Amerikan. Për hemodializën, KLSH ka raportuar se nga 2016- 2022 koncesionari mori 4.35 milion euro për shërbime të pakryera. Ndërkohë për koncesionin e laboratorëve KLSH kallëzoi në SPAK 7 anëtarë të KVO, se e kishin dhënë në kundërshtim me ligjin.
Në shkresën e depozituar në Kuvend Rithemelimi jepte dhe argumente të tjera ku për dializën theksonte se duhet hetuar pasi historiku i kompanisë fituese tregonte se jo vetëm nuk kishte asnjë eksperiencë në sektorin e shëndetësisë, por kishte një kapital minimal prej 100 mijë lekësh dhe si aktivitet kishte pasur menaxhimin e një bar kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërsa hetimet e mëvonshme zbuluan se nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Holandë përfitues fundor dilte pikërisht Klodian Allajbeu.
Ndërkohë edhe për laboratorët Rithemelimi sillte si argument auditin e KLSH-së që vërejti se zyratrët e MSH injoruan shqetësimin e Korporatës Ndërkombëtare të Investimeve për integritetin e kompanisë së regjistruar në Hollandë, AB Laboratory Solutions. Sipas tyre kjo ishte një kompani fantazmë që fshihte përqindjen e ndarjes reale të aksioneve në koncesion, një fakt mbi të cilin edhe SPAK nisi një procedim penal.