Lufta në Gaza, Blinken në Izrael për bisedime me kryeministrin izraelit Netanyahu!

vovalbania March 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta në Gaza, Blinken në Izrael për bisedime me kryeministrin izraelit Netanyahu!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po qëndron në Izrael për ato që pritet të jenë bisedime të ashpra me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me luftën në Gaza, teksa dallimet publike rreth konfliktit janë thelluar.

Kjo është ndalesa e fundit e Blinkenit në misionin e tij të gjashtë diplomatik në Lindjen e Mesme, në të cilin pritet të takohet me Netanyahun dhe kabinetin e tij të luftës, me synimin që t’i bindë të mos zbatojnë planet e tyre për një ofensivë ushtarake në qytetin jugor të Rafahut.

Një ofensivë në shkallë të gjerë në Rafah ka rritur frikën se mund të përkeqësojë edhe më shumë krizën e thellë humanitare në Rripin e Gazës. Dje gjatë qëndrimit në Kajro ku u takua me kryediplomatët nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Blinken u shpreh:

Një operacion i madh ushtarak në Rafah do të ishte gabim dhe është diçka që ne nuk e mbështesim.

Antony Blinken pritet t’i paraqesë Netanyahut alternativa për të luftuar në Rafah, Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Bisedimet do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme kur ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe një delegacion i ndarë i zyrtarëve të lartë izraelitë do të vizitojnë Uashingtonin.

Benjamin Netanyahu ra dakord lidhur me vizitën e këtij delegacioni, gjatë një bisede telefonike që zhvilloi në fillimjavë me presidentin amerikan, Joe Biden. Kjo ishte biseda e parë në muajin e fundit mes dy udhëheqësve në mesin e thellimit të dallimeve.

Vizita e Blinkenit nuk ishte paralajmëruar kur kryediplomati amerikan nisi turin e tij në Lindjen e Mesme. Kjo vizitë vjen pasi zyrtarët e lartë të inteligjencës nga SHBA-të, si edhe Izraeli, Egjipti e Katari pritet të takohen në Doha, për të diskutuar mbi detajet e një marrëveshjeje armëpushimi që  po ashtu përfshin lirimin e pengjeve.

Gjatë sulmit të 7 tetorit të kaluar në jug të Izraelit, sulm që nxiti luftën, Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, si dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë rreth 32 mijë persona, shumica gra e fëmijë, sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE