Miqësorja me Kilin, Kombëtarja humb 3:0 në stadiumin e Parmës!
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit nuk arriti dot që ta mbyllte me sukses testin e parë miqësor për vitin 2024, një përballje shumë interesante ndaj Kilit e ku trajneri Silvinjo nisi punën konkrete për pjesëmarrjen në Europianin e kësaj vere në Gjermani. Por, kombëtarja humbi me rezultatin 3-0 në Parma të Italisë, në miqësoren ndaj Kilit.
Kombëtarja shqiptare u përball për herë të parë me skuadrën e Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës.
92’+ Kili shënon golin e tretë
83′ Kili shënon golin e dytë me anë të Bolados
67′ Del nga loja Manaj, e zëvendëson Armando Broja
55′ Rast i rrezikshëm në favor të Kilit nga goditja e këndit. Mbrojtja shqiptare dërgon topin në një tjetër goditje këndi
46′ Nis pjesa e dytë, kuqezinjtë tentojnë të depërtojnë mesfushën kiliane.
45′ Mbyllet pjesa e parë, Kili udhëheq me një gol. Kuqezinjtë provuan të kundërpërgjigjen me një goditje të Jasir Asanit por pa rezultat.
19′ Kili në avantazh. Gjuajtja e Edouardo Vargas përfundon në rrjetë. Protestojnë kuqezinjtë për prekje me dorë, arbitri italian e cilëson të rregullt.
10′ Presing i kuqezinjve, gabon mbrojtja kilene. Bajrami pason për Manaj, i cili nuk arrin të shfrytëzojë mundësinë e krijuar.
Përballja me amerikano-latinët u prezantua si një provë e vërtetë pasi kundërshtarët njihen si të renditur mes skuadrave të nivelit mbi mesatar. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” u transmetua live në kanalin SuperSport 2, në Digitalb.
Formacionet Zyrtare
Në portën tonë ishte Strakosha, ndërkohë që reparti i mbrojtjes mbeti ai me Gjimshitin dhe Mihajn në qendër e kjo në mungesë të Ismajlit, ndërkohë që nga krahët ishin po ata, Mitaj e Hysaj. Përpara tyre qëndronte një tjetër dyshe e pandryshuar me Ramadanin dhe Asllanin, për të kaluar te treshja përpara që përbëhej nga Asani, Seferi e në majë të sulmit, i rikthyeri Manaj.
Tekniku brazilian Silvinjo vendosi që në këtë ndeshje t’iu besonte kryesisht lojtarëve me të cilët përballoi kualifikueset, me lëvizje të vogla në rreshtim. Por, aty ra në sy aktivizimi i Rei Manajt nga minuta e parë në një test që supozohej të ishte i rëndësishëm për të parë se si do të përshtatej ai në skemat e kuqezinjve.