Tjetërsimi i dy pronave në Dhërmi, sot Jorgo Goro del para GJKKO-së!
Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili u arrestua të shtunën e kaluar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, sot do të dalë në GJKKO, aty ku pritet që t’i verifikohet masa e sigurisë dhe do të merret në pyetje. Po në këtë seancë do të verifikohen edhe masat e sigurisë për katër të akuzuarit e tjerë, dy prej tyre ende në kërkim.
Goro është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku do të shoqërohet për t’u dërguar në gjykatë. Ai u prangos më 23 mars, me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një siperfaqe në total prej 10592 m2 e ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet i PS-së.
Në rastin e parë, sipas SPAK-ut, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.
Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Stavri e Foto Mëhilli është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gaçin.
Në episodin e dytë, një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet e më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit.
Më tej, sipërfaqja e tokës është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj, shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total sipërfaqja (10.592 m2).
Ndërkohë, në “Arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK-së Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë u ekzekutuan të shtunën e 23 marsit për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi e shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.