Lindje e Mesme, vëzhgues të OKB-së të plagosur në një sulm pranë Libanit!
Në Lindjen e Mesme, lufta mes Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e 176-të. Katër vëzhgues të OKB-së u plagosën në një aksion në zonën Rmeish, pranë kufirit me Libanin. Bejruti zyrtar pretendon se një dron izraelit goditi mjetin UNIFIL (me tre persona me kombësi australiane, kiliane e norvegjeze, si dhe një përkthyes libanez në bord).
Por IDF-ja, ushtria e shtetit hebraik, e mohon:
Nuk ishim ne!
Burimet libaneze të sigurisë thanë se në Libanin jugor, sulmi kundër vëzhguesve të OKB-së u krye nga një dron që ndoqi kolonën e dy automjeteve me shenja të qarta të Kombeve të Bashkuara.
Tre vëzhguesit dhe përkthyesi i tyre libanez kishin zbritur nga automjetet në afërsi të Rmeishit kur dëgjuan zhurmën e dronit dhe me shpejtësi u kthyen në bordin e dy fuoristradave. Në atë moment, droni lëshoi një raketë në drejtim të autokolonës. Një nga të plagosurit u dërgua me helikopter në spital.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se mirëpresin formimin e një qeverie të re të Autoritetit Palestinez. Netanyahu autorizoi dërgimin e një delegacioni në Doha të Katarit dhe Kajro të Egjiptit, për të negociuar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
Gjatë vizitës në Uashington këtë javë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant nuk përjashtoi mundësinë e krijimit të një force ushtarake shumëkombëshe me trupa nga vendet arabe, për të zbatuar ligjin dhe vënë rendin në Rripin e Gazës. Po ashtu, për të shoqëruar autokolonat e ndihmave humanitare, siç njoftuan dy zyrtarë të lartë izraelitë, që gjithashtu besojnë se një forcë shumëkombëshe mund të ndihmojë në krijimin e një alternative ndaj qeverisë së Hamasit në enklavë.
Një i mitur vetëm 13-vjeç u qëllua për vdekje dhe dy të tjerë u plagosën, njëri prej tyre rëndë, gjatë një operacioni izraelit në qytetin Qabatiya të Bregut Perëndimor, në jug të Jeninit. Lajmi u bë i ditur nga agjencia palestineze Wafa.
Sipas Fawaz Hammad-it, drejtor i spitalit Al-Razi në Jenin, 13-vjeçari, i quajtur Nabil Abu Abed, vdiq nga plagët e marra pasi u godit nga plumbat. Burimet lokale konfirmuan më vonë se ushtria izraelite kontrolloi qytetin, duke vendosur automjete ushtarake në rrugë dhe lagje e snajpera në çatitë e disa ndërtesave dhe dyqaneve.
Po ashtu, policia izraelite njoftoi arrestimin e 16 personave në Kfar Qasem, në Bregun Perëndimor e në Izraelin e veriut, me dyshimet për “nxitje dhe mbështetje të akteve të terrorizmit që do të kryheshin në Malin e Tempullit” në Jerusalem.
Hetimet treguan se disa nga të dyshuarit shprehën mbështetje për Hamasin, bënë thirrje për të goditur hebrenjtë e nxitën Hezbollahun të sulmojë me raketa Tel Avivin.